TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në aktivitetin që mbahet në shenjë falënderimit për Forcat e Armatosura, referuar punës së tyre në emergjencën që pati Shqipëria në situatën e përmbytjeve.

“Faleminderit Forca të Armatosura”, quhet aktiviteti që është organizuar në garnizonin “Skënderbej”, në Ministrinë e Mbrojtjes, ku kryeministri Edi Rama ka shprehur vlerësimin më të lartë për Forcat e Armatosura dhe angazhimin e tyre në situatën e përmbytjeve. Në aktivitet merrte pjesë edhe ambasadori amerikan Donald Lu.

Rama iu ka rrëfyer efektivëve të ushtrisë një bisedë me një ushtarak gjatë ditëve të përmbytjes. “…Një koleg i juaji më tha që kjo është një nga ato kohë kur uji nuk është në anën tënde dhe kur e ke kundër, uji është armiku në front”.

FJALA E KRYEMINISTRIT
Ditëlindjen e 105-të të FA-ve tona ne nuk mundëm ta celebronim në mënyrën tradicionale sepse e kaluam në operacionet e shumta për përballimin e gjendjes së krijuar në vend si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të jashtëzakonshme të lumit të Vjosës të cilat sollën dëme dhe kërcënuan jetë njerëzish. Falë jush, falë atyre që ishin qysh në sekondën e parë në krye të detyrës, ditë-natë, në frontin më të vështirë ku rrezikohej vetë jeta e tyre, ne ja dolëm që të shpëtojmë të gjithë personat dhe familjet e kërcënuara për jetën dhe ndërkohë të mos lejojmë që asnjë kokë bagëti të humbasë. Duke qenë se në 4 dhjetor situata nuk na dha mundësinë të mblidhemi së bashku sot unë jam këtu për t’ju uruar të gjithë ve ju drejtpërdrejt festën e FA-ve e cila për hir të së vërtetës nuk mund të kremtohej në mënyrë më kuptimplotë se sa në vijën e parë ku të gjithëve ju, ju çoi më 4 dhjetor detyra. Kjo është një festë jo vetëm e njerëzve nën uniformë dhe e familjeve të tyre por e gjithë Shqipërisë. Sot ja vlen të kujtohet se vendimi nga ku kjo festë buron për krijimin e ushtrisë kombëtare, ishte i pari vendim i marrë nga qeveria e parë e qeverisë së pavarur të Ismail Qemalit, pak ditë pas lindjes së shtetit shqiptar në 1912. Vendimi për të bërë ushtrinë, ishte në rendin e duhur, sepse ushtria është kolona e shtetit. Unë jam i nderuar që në emër të qeverisë të shpreh mirënjohjen për të gjithë brezat e ushtarakëve, të cilët për më shumë se një shekull kanë kontribuuar në shërbim të atdheut, të popullit, të shtetit shqiptar duke marrë përsipër një ndër barrët më të rënda të shërbimit nën flamurin kombëtar. Këto ditë e gjithë Shqipëria e ndoqi me shqetësim dhe e pa me admirim ushtrinë shqiptare në përpjekjet për t’iu qenë pranë të gjithë motrave dhe vëllezërve të prekur nga përmbytjet, ashtu si mundi të shohë fare pak nga aktet dhe angazhimet e FA-ve në përpjekjet e pakursyera për të shpëtuar jetët njerëzore përballë egërsisë së natyrës, për të cilën një koleg i juaji më tha që kjo është një nga ato kohë kur uji nuk është në anën tënde dhe kur e ke kundër, uji është armiku në front.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb