TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur sot për afate konkrete për nisjen e punimeve për disa nga rrugët kryesore, sidomos në veri të vendit. Nga Lezha ku vijon turi i llogaridhënies, kryeministri deklaroi se brenda majit do të nisë ndërtimi i Rrugës së Arbrit që nuk do të ndalojë deri në përfundimin e plotë.

Po kështu tha se në fund gushti, fillim shtatori nis aksi Milot-Balldren. Pikërisht duke u ndalur tek kjo rrugë, (në hyrje të Lezhës) do i japë fund një historie të pabesueshme ku rruga nacionale kalon në një kthesë qorre, ku duket sikur të gjitha makinat futen aty për atë shprehjen ‘mbaje shofer 1 minutë’.

“Kemi 31 investime të nisura në këtë territor të cilat janë në punë e sipër. Kemi tre ndërhyrje shumë të rëndësishme, njëra e vogël në përmasa por shumë e rëndësishme për plazhin e Shëngjinit, prej 3 km, të cilën pas mbledhjes së qeverisë dhe pasi dëgjuam me vëmendje biznesin tani është vetëm çështje vendimmarrje sepse së shpejti mbyllet edhe gara por do vendosim nëse do fillojmë punën menjëherë apo do e lëmë pas sezonit për të mos krijuar kaos. Po kështu dy projekte të tjera të rëndësishme për nga impakti ekonomik dhe social, projekti i autostradës Milot-Balldren me tunelin që do i japë fund një historie të pabesueshme ku rruga nacionale kalon në një kthesë qorre, ku duket sikur të gjitha makinat futen aty për atë shprehjen ‘mbaje shofer 1 minutë’ se kam punë dhe rruga Shëngjin-Velipojë. Ky projekt është një aks prioritar, potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit. Krijon një lidhje të shpejtë mes këtyre dy pikave.
Kemi kaluar një fazë të vështirë të mbushjes së gropës së borxheve që gjetëm por tani jemi gati për t’i hapur këto kantiere të mëdha. Më vjen shumë mirë, megjithëse kjo s’ka lidhje me Lezhën, por them se brenda majit do çelim kantierin e Rrugës së Arbrit. Do fillojë dhe nuk do të ndalet më puna deri kur të ketë mbaruar plotësisht. Do ta bëjë Dibrën zonë të integruar me kryeqytetin dhe do të çelë një potencial shumë të madh edhe për zhvillimin e agro-turizmit në gjithë atë krah që ka bukuri përrallore të paprekura që shumëkush nuk i ka parë dot për shkak të mungesës së rrugës.
Rruga Milot-Balldren do të fillojë besoj deri në muajin shtator, fund gushti, fillim shtatori. Kemi aktin strategjik Thumanë-Kashar që do të bëjë të mundur që i gjithë komunikimi mes Lezhës, Shkodrës, Kukësit, Kosovës të jetë me standarde të tjera”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se rrugët do jenë të standardeve ndërkombëtare, të mirëfillta dhe pati edhe një përgjigje për akuzat se qeveria ndan Veriun nga Jugu. “Për të gjithë ata që bëjnë teorinë e tmerrshme të ndarjes me Veriun e Jugun dhe që përpiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë hileqare të na lënë ne atë faturën e një imazhi sikur jemi më pak të interesuar për Veriun ju them se pjesa më e madhe e programit 1 miliard për rindërtim është nga Tirana e lart. Me programin 1 miliard do ketë vetëm një aks për pjesë ne poshtme, që është nga dalja e Vlorës deri tek tuneli i Llogarisë. Zona nuk ka nevojë vetëm për infrastrukturë, zona ka nevojë për një mbështetje të rëndësishme edhe për zhvillimin rural. Ne kemi miratuar për këtë vit fondin më të madh të mbështetjes fermere. Së shpejti në këtë zonë do të ketë një numër të konsiderueshëm përfituesish nga aplikimet”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ai foli edhe për mbështetjen dhe investimet për agro-turizmit, duke premtuar uljen e TVSH-së si për hotelet me 4 dhe 5 yje.

“Më vjen shumë mirë që vazhdojmë sot këtë pjesë të fushatës së llogaridhënies publike me projektet e zhvillimit. Ka një potencial shumë të madh për t’u shfrytëzuar duke u vënë në dispozicion të komunitetit por edhe të ekonomisë kombëtare. Në janar kishim mbledhjen e qeverisë dhe morëm disa vendime të rëndësishme, një prej tyre vendimi për përkrahjen e agro-turizmit me qëllim nxitjen e një rrjeti të agro-turizmit duke u nisur nga shembuj të shkëlqyer këtu në Lezhë. Në ditët në vijim qeveria do të miratojë edhe një paketë të veçantë mbështetjeje duke krijuar lehtësira të ndjeshme fiskale për agro-turizmin që do të thotë duke nxitur investimet në agro-turizëm. Agro turizmi ka një potencial i madh për zonat ku duket sikur bujqësia apo zhvillimi i fermave dhe blegtorisë mbetet një sfidë e vështirë por ku natyra është e mrekullueshme, tradita është e jashtëzakonshme dhe prirja e njerëzve për të kthyer mikpritjen në një biznes është e admirueshme. Kam parasysh Mirditën ku ka stacione me një bukuri mahnitëse natyrore, kam parasysh edhe pjesën e thellë të Kurbinit dhe të gjitha zonat e thella të Shqipërisë ku duket sikur lufta kundër varfërisë është mision i pamundur. Përmes kësaj pakete mbështetje ku do të kemi një ulje të TVSH-së njësoj si për hotelet me 4 dhe 5 yje, t’i japim mundësi fantazisë dhe sipërmarrësve për të filluar për të krijuar modelet e tjera. Modele që duhet të ndiqen nga vetë familjet. Mjafton të kesh banesë në një zonë me natyrë të bukur dhe të tilla ka plot, mjafton të ngresh një mikrofermë në funksion të agroturizmit duke e transformuar banesën apo duke ndërtuar një ngrehinë tjetër me disa dhoma, jo një hotel por një bujtinë për të pasur mundësinë të ngresh një biznes fitimprurës. Këtu kemi marrë edhe vendimin për listën e 100 fshatrave që do të mbështeten me prioritet. Në këtë qark janë 5 që janë pjesë e kësaj liste”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: