Kryeministri Edi Rama foli për blerjen e Aeroportit të Rinasit nga “Kastrati Group”, duke thënë se kjo do të pasohet me investime të mëdha, që do të bëhen në këtë aeroport.

Sipas kryeministrit, shumë shpejt do të nisë puna për standardizimin e pistës, ku sipas tij, do të mund të bëhen të gjitha fluturimet dhe me të gjitha përmasat e avionëve.

Më tej, Rama foli dhe për çmimin e biletave, që sipas tij, deri më tani është më i larti në Evropë, dhe që me blerjen nga “Kastrati Group”, këto çmime do të normalizohen.

“Fakti që një zotëri bleu, mori në zotërim, aeroportin e Rinasit, do të pasohet si lajm me investime të mëdha që do të bëhen në atë aeroport. Do të nisim shumë shpejt për të standardizuar pistën, duke e kthyer në një pistë me standardet, ku të bëhen të gjitha fluturimet me të gjitha përmasat e avionëve. Do të krijohen kushtet komplet të reja të sigurisë. Kemi pasur konflikt të vazhdueshëm me pronarët e vjetër të aeroportit për sigurinë.

Marrja nga një kompani shqiptare në zotërim të aeroportit të Rinasit, që i ka kushtuar shqiptarëve çmime super të shtrenjta, që ka qenë një torturë, që ka qenë një arsye të mallkohesha edhe unë, dhe këtë situatë që do të jetë dhe për pak kohë, ku kishte tarifat më të larta, do ta ndryshojë. Marrëveshja ka garantuar një normalizim të çmimeve për pasagjerët. Me të kryer investimet dhe me të hyrë në fazën e re do ta ndjejmë këtë te biletat që do të paguajmë. Ishte aeroporti më absurd, me një çmim gati dyfish nga gjithë aeroportet më të mëdha të Evropës. Vijon edhe tani akoma, po të paktën tani janë fluturimet më të pakta. Aeroport që i detyronte shqiptarët të shkonin në Mal të Zi, Ohër, Kosovë, Beograd. Ik për të kapur një fluturim më të lirë. Këto të gjitha do të vihen në vijë dhe do të kemi një aeroport, që do të jetë në kornizën e tarifave dhe çmimeve që janë në Evropë”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb