Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Greqi në forumin e BE-Ligës Arabe, ka folur për vrasjen e ekstremistit grek, Kostandinos Kacifas, një vit më parë nga forcat policore shqiptare, në Bularat të Gjirokastrës.

Në një intervistë për “Euronews”, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se dikush që lëviz me armë dhe kërcënon njerëzit, është i rrezikshëm.

“Kam besuar dhe besoj se dikush që lëviz me armë dhe kërcënon njerëzit është i rrezikshëm”, ka thënë Rama.

Ndërsa, pyetjes nëse vdekja e Kacifas mund të çojë në konflikt të vazhdueshëm mes komunitetit grek dhe shqiptar, kryeministri shqiptar i është përgjigjur se nuk e mendon një gjë të tillë.

“Unë nuk mendoj, përkundrazi besoj se historia e të dy komuniteteve tregon që, nëse politika nuk ndërhyn, ato janë një. Prandaj, nuk ka ndarje ose urrejtje në zemrat e komuniteteve, ku shqiptarët dhe grekët kanë jetuar bashkë për shumë vite.

Ata janë një shembull i ndritshëm se si politika duhet të merret me faktin se ne jemi fqinj dhe jemi “të mallkuar” për të jetuar bashkë dhe për ta dashur njëri-tjetrin. Kështu që, nëse politika nuk fut hundët dhe nuk përpiqet të ushqejë urrejtje, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë”, ka deklaruar kryeministri.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb