Kryeministri i vendit, Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp tha se në asnjë vend tjetër të Europës koalicionet nuk funksionojnë ashtu si në Shqipëri.

Sipas tij, mazhoranca nuk mund të kënaqë të gjitha palët. Nisu nga kjo ai i dërgoi një mesazh në distancë kryedemokratit Basha, kur tha se e dinte që opozita jashtë parlamentit trembet nga listat e hapura, por shtoi se ata nuk mund të kenë gjithnjë çdo gjë që duan.

“Po të shohim vendet europiane, Holanda i ndalon kategorikisht koalicionet. Kemi shumë vende ku subjektet bashkohen në një listë. S’ka vend tjetër përveç nesh ku një mullar i madh me parti futen në një tren të madh, përfitojnë nga buxheti i shtetit dhe faktikisht bëjnë që qytetari të votojë për njërin dhe votën e tij ta marrë tjetri. Ky është koalicioni, forma që kemi ne. Këto nuk vijnë si rezultat i kalkulimeve tona elektorale se sot ne jemi forca më e madhe, pas 1 viti kur të mbahen zgjedhjet të shohim. Ne s’kemi asnjë qëllim tjetër veçse të përmirësojmë Shqipërinë dhe t’i japim sa më shumë shanse e të drejta të barabarta njerëzve edhe në rastin kur ushtrojnë të drejtën sovrane për të zgjedhur përfaqësuesit.

Unë i di të gjitha s’ka këtu asnjë lojë, s’ka pazar as përpjekje për tu fshehur pas gishtit apo për të treguar gishtin kur gishti tregon hënën Ne jemi në qendër kemi detyrë të mbrojmë njerëzit dhe vendin si dhe të gjitha forcat të mos ndjehen të kërcënuara nga procesi. Opozita parlamentare ndjehet e kërcënuar nga numërim partiak. Kanë të drejtën e tyre nisur nga eksperienca e së shkuarës.

Por kjo është marrëveshje e bërë me ata jashtë parlamentit. Opozita jashtë parlamentit ndjehet e kërcënuar nga hapja e listave por duhet të kuptojnë që nuk mund t’i marrin të gjitha dhe kjo PS që është forca më e madhe ka të drejtë të ketë ndonjë dëshirë? Ne kemi një dëshirë të vetme, që gjithë të tjerët të marrin sa më shumë nga ajo që kërkojnë, ne jemi ok, s’ka problem për ne”,- tha Rama.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: