LEZHË

Kryeministri Edi Rama s’i ka kursyer fjalët e mira për kandidatin për kryebashkiak të të majtëve në Lezhë, Pjerin Ndreun. Para qytetarëve lezhianë, Rama tha se është i mençur por kokëderr pasi ka gjithmonë kërkesa e ankesa.

Kreu i maxhorëncës tregoi se ambicien për të kandiduar për Lezhën, Ndreu ia kishte shprehur kohë më parë dhe se me këtë zgjedhje i hoqi një dhimbje kokë si atij vetë ashtu dhe ish-ministres, deputetes së Lezhës Lindita Nikolla.

“I mençur e kokëderr, i përkushtuar e i vendosur për t’i shkuar punëve deri në fund, por mbi të gjitha i lidhur me njerëzit, me territoret këtu.
Unë e di mirë se çfarë më pret me këtë zotëri. E di mirë se çfarë më pret. Vetëm ankesa dhe kërkesa. Por asnjëherë ankesa dhe kërkesa personale, por gjithmonë për Lezhën. Për një fshat, për një familje, për një gjenerator apo për dikë që duhet të operohet. Ma kishte shprehur ambicien e tij kohë më para. Donte ta drejtonte Lezhën dhe unë i thashë tregoje veten si deputet dhe pastaj të shohim a të duan apo nuk të duan. Se Lezha në një farë mënyre është një hall më vete, malësorë, mirditorë, pukianë, lezhjanë, dibranë, zadrimorë. Hajde ta gjesh kë duan. I jam falënderues Pjerinit se na hoqi një dhimbje koke mua e Linditës sepse të gjithë ju së bashku e propozuat për kandidat për bashkinë e Lezhës”, tha Rama.

Ai tha se shpreson të mbetet i njëjti dhe që era e detit mos t’i marrë kokën duke përdorur si shembull balonat e opozitës në protestën e kaluara me mbishkrimin “Rama ik”.
“Shpresoj të mbetet ky që është dhe era e detit mos t’i hyjë e t’i marrë kokën si ato balonat e Lulit tek kryeministria. Unë do ta mbështes Pjerinin me çdo mundësi sepse besoj fortë tek potenciali i kësaj zonë dhe njerëzit e kësaj zone. Këtu në Lezhë kam parë gjëra fantastike si rezultat i talentit të njerëzit. Qofshin ata që kanë investuar në bregdet, qofshin ata në fshatra të thellë. Lezha ka disa shembuj. Jam i bindur se nëse ne do ta shtyjmë si duhet zhvillimin, shumë talente dhe shembuj të tjerë do krijohen dhe patjetër ekonomi dhe punësim do krijohet”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb