Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot mesazhin e parë për atë që e cilëson viti më i vështirë shkollor në historinë tonë për shkak të pandemisë, në një takim me drejtuesit e Drejtorive Rajonale dhe zyrave arsimore vendore.

Rama përmendi disa nga masat, duke theksuar se në asnjë rast nuk do ketë më shumë se 20 nxënës në klasë. Ai përmendi skenarin e mësimit online një javë pas mësimit në klasa dhe tha se ruajtja e shëndetit është një sfidë e jashtëzakonshme jo vetëm për të filluar por edhe vijuar e përfunduar vitin shkollor.

Po kështu kreu i qeverisë bëri të ditur se një person i dedikuar nga sistemi i shëndetit publik do të vendoset pranë shkollave.

“Në klasa në mënyrë absolute duhen respektuar rregullat dhe s’duhet të ketë në asnjë rast më shumë se 20 nxënës. Për disa shkolla, java e parë në klasa java e dytë online. Nxënësi do vlerësohet vetëm për mësimin në shkollë.
Të gjitha institucionet arsimore që po marrin masa për fillimin e vitit shkollor duke pasur prioritet ruajtjen e shëndetit janë në një sfidë të jashtëzakonshme jo thjesht për të filluar por dhe për të vijuar e për të përfunduar që kalendarisht do jetë si gjithë të tjerët por faktikisht do jetë shumë më i gjatë.
Shtohen këtë vit detergjentët, maskat, alkooli, do ketë dhe një person të dedikuar nga sistemi i shëndetit publik pranë shkollës. Këta persona duhet të jenë kontakti juaj i përditshëm, jo për t’i pyetur formalisht, as për t’i shtuar presionin normal të kësaj pune por për t’i inkurajuar, frymëzuar dhe për t’iu gjendur pranë në çdo moment, duke siguruar informacion por dhe garantuar shërbimet. Ankesat e këtij punonjësi duhet të ndiqen në kohë reale.
Procesi i vijëzimeve në shkolla po përfundon dhe sigurimi i distancës fizike në të gjitha mjediset e tyre është domosdoshmëri. Thënë kjo është absolutisht e domosdoshme që të kuptohet drejt e thellë që këtu nuk bëhet fjalë për të vendosur në rresht, persona adult, burra dhe gra, djem dhe vajza që janë në moshën e tyre të pjekurisë. këtu bëhet fjalë për të disiplinuar sjelljen në mjedisin social të një grupi moshash shumë delikate. Prandaj është e domosdoshme që ky proces të kryhet me përkushtim të madh, me durim të madh, jo me britma e masa shtrënguese, por me një përpjekje të posaçme për ta shpjeguar pse-në”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb