* Rama: Vizita në Shtëpinë e Bardhë, nder dhe vlerësim për qeverinë, aleancën dhe grupin e PS

TIRANE – Mbledhja e sotme e grupit të PS-së, si rrallë ndodh, u zhvillua me dyer të hapura për mediat, ku kryesocialisti Edi Rama bëri publike detajet e vizitës së tij në SHBA.

Kryeministri e cilësoi vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë si një nder dhe vlerësim të jashtëzakonshëm, që sipas tij, i takon qeverisë, aleancës dhe padyshim grupit parlamentar të PS-së.

“Nuk ndodh çdo vit e as çdo katër vjet që kryeministri i Shqipërisë të pritet në Shtëpinë e Bardhë. Kjo në fakt është hera e parë që ndodh. Dokumenti i partneritetit strategjik me SHBA ka çelur një fazë të re në marrëdhënien tonë. Takimi në Shtëpinë e Bardhë ka konfirmuar besimin  e partnereve tanë tek përkushtimi ynë”- deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, “25 vjet janë shumë pak në historinë e një vendi, apo të marrëdhënieve mes dy vendeve. Por këto 25 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA, janë të rëndësishme. Nëse sot shqiptarët janë më mirë se asnjëherë më parë kjo pasdiskutim lidhet në radhë të parë me këtë marrëdhënie. Në javët e ardhshme një ekip i nivelit të lartë të USAID-it do të vizitojë Shqipërinë. Për herë të parë Shqipëria do të ketë grupin e vet të miqësisë edhe në Senatin Amerikan”.

Kryeministri Rama tha se gjatë takimeve të zhvilluara në SHBA, reforma në drejtësi është vlerësuar si moment kyç për vendin. Sipas kreut të Qeverisë, është përcjellë mesazhi që asnjë palë politike të mos pengojë ecurinë e procesit.

“Kyçe është vlerësuar reforma në drejtësi. SHBA janë mbështetëset më të mëdha të Shqipërisë, dhe janë një avokat i fuqishëm në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë. SHBA kërkon që asnjë palë politike të mos pengojë në Kuvendin e Shqipërisë punën për reformën në drejtësi.

Nuk e fsheh dot keqardhjen time për disa komente negative për këtë ftesë. Pavarësisht se kjo ftesë ishte një vlerësim për ne, për punën e bërë në gjithë këto vite. Kjo ftesë ishte një vlerësim për popullin shqiptar, në këtë 25-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve midis vendeve tona”, tha kryeministri Rama.

Në mbledhjen e sotme të grupit të PS ishte i pranishëm edhe deputeti Ben Blushi.
ramaaaa

(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb