Kryeministri Edi Rama ka nisur sot një fushatë propagande për rritjen e pagës minimale nga 1 prilli, si dhe rritjen në një afat të dytë të pagës mesatare.

Pak pas mbledhjes së qeverisë ku njoftoi lëmoshën e radhës për pensionistët, kreu i qeverisë u shfaq në krah të punëtorëve të një kompanie ndërtimi ku mbajti një fjalim sikur të ishte kryetari i opozitës në prag të një fushate elektorale dhe jo kryeministri i vendit që e drejton atë prej 10 vjetësh.

Megjithëse premtoi shtet dixhital, luftë kundër informalitetit, zhdukjen e borderove të dyfishta të biznesit, sot kryeministri pranoi që kompanitë kanë ende punonjës në të zezë.

“Një pjesë e punonjësve paguhen në të zezë. Me përfitime që janë përtej normales dhe që shkojnë deri te pika e fundit e gjakut dhe djersës nga ana e kapitalistëve tanë, goditet punonjësi dhe shteti. Ajo paga që merret në të zezë është grabitja e pensionit dhe asistencës shëndetësore në rast nevoje. Goditet edhe shteti, pasi në pagën minimale shteti nuk ka taksa. Këtu nuk është fjala për taksa, por për vetë ata që marrin pagën, për punonjësit të cilët zhvishen nga e drejta për të pasur një pension të drejtë. Si do të rriten pensionet aq sa duhet nëse nuk ka kontribut për pensionet?”, u shpreh Rama.

Teksa pranoi se ka ende biznese që mbajnë punonjës në të zezë, kryeministri urdhëron kontrollin dhe gjobitjen me qindra mijëra euro të kompanive që i deklarojnë pagat 100% në bankë, që nuk kanë bilance të dyfishta dhe që paguajnë siguracionet e punonjësve të plota siç e parashikon ligji.

Nga pozitat e kreut të qeverisë prej 10 vitesh, Rama i kërcënoi kompanitë e ndërtimit se nuk do t’u japë punë publike, si ndërtim shkollash, rrugësh apo edhe leje ndërtimi nëse do të çojnë te Financat bordero me rroga minimale për punonjësit e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb