TIRANE- Kreu i qeverisë, Edi Rama i ka bërë thirrje aleatit të tij, Ilir Meta që të ripërsërisin marrëveshjen e katër viteve më parë. Nga Asambleja Kombëtare e PS-së, ku në fokus janë zgjedhjet e 18 qershorit, Rama tha se marrëveshja me LSI-në i shërben vendit.

“Shqipëria qe ne kemi në zemër dhe beteja për Shqipërinë varet nga pasioni dhe vullneti për Shqipërinë që duam. Partia Socialiste është padiskutim partia më e madhe, por edhe partia me historinë më të lavdërueshme në përpjekjen për të bërë shtet duke mbledhur rrënojat e atyre që janë në çadër, por të gjitha shkojnë bashkë me peshën e madhe. Partneriteti me LSI është i padiskutuar dhe ne do të shkojmë në këto zgjedhje për të marrë cdo votë të mundshme për Partinë Socialiste. Megjithatë i takon LSI të marri vendimin e saj nëse do ose jo të vazhdojë në koalicion me ne. Ne po diskutojmë për 18 qershorin, por ne nuk do të diskutojmë vazhdimin e reformave, sepse këto mund t’i bëjë vetëm Partia Socialiste. Kjo pasi, Shqipërinë shtet mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste, mund ta bëjmë vetëm ne.”, pohoi ai.

Po ashtu, Rama theksoi se çdo aleat duhet të jetë i nderuar nëse bën koalicion me PS-në.

“Jemi të nderuar dhe çdo aleat duhet të jetë i nderuar nëse bën koalicion me ne, jashtë kësaj rruge nuk ka asnjë nder. Të dashur anëtarë, siç do vazhdojmë të luftojmë për drejtësinë do vazhdojmë edhe për të krijuar vende të reja pune. Ne duam një rritje ekonomike që në 4 vitet e ardhshme të çojë në tryezën e çdo shqiptari më shumë të ardhura në fshat qytet veri e jug. Ne duam më shumë për Shqipërinë që duan, prandaj duam të ‘fshijmë’ gjykatësit e korruptuar të cilët e pengojnë këtë. Ne rritëm pagat e pensionet, mësuesit përfituan një rritje prej 10 për qind, policët një rritje prej 10 për qind etj”, tha Rama.
(ed.me/da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: