Shqipëria ka nisur sot zyrtarisht bisedimet me Brukselin për hapat që do të ndërmerren në vijim në rrugën drejt integrimit të Bashkimin Evropian. Megjithatë, Besnik Mustafaj, deklaron se nuk mund të themi që janë çelur negociatat porse është çelur rruga drejt këtyre negociatave.

Mustafaj tha në ABC se procesi është i kthyeshëm dhe nëse vendi nuk bën progres në akset kryesore, proceset euro-integruese mund të mbesin në vend.

“Jemi në paradhomë, por ndryshimi është që dera nuk është e mbyllur. Procesi është i kthyeshëm. Nëse vendi nuk bën progres në akset kryesore, si demokracia, të drejtat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka kthim mbrapa.”

Analisti solli në vëmendje se vullneti i secilit shtet anëtar mund të ndalojë në çdo moment ecurinë e negociatave.

“Kthimi pas do të thotë që mund të humbësh edhe të drejtën e negociatave. Serbia e ka mbetur te 4 kapitujt. Lufta kundër korrupsionit do të jetë që në fillim. Brukseli negociatat i ka kryesisht teknike. Mund të bindet një shtet, por të del një vend, cilido që thotë se kam të dhëna të tjera. Avancimi është kur nuk është më me gënjeshtra nga ana e qeverisë.”

Tashmë në këtë stad, BE nuk do të jetë thjeshtë vëzhguese apo këshilluese për procese dhe reforma të rëndësishme në vend. Një shembull është edhe qëndrimi i mbajtur deri më tani për amnistinë fiskale.

Duke u kthyer tek dërgimi i delegacionit shqiptar në Bruksel, kujtojmë se përfaqësues të opozitës nuk ishin mes tyre. Kryeministri Edi Rama e justifikoi mosprezencën e tyre me faktin se “ende nuk dihet kush është kush në radhët opozitare.” Ky problem sipas kreut të qeverisë nuk kishte pse të çohej në selinë e BE-së.

Analisti Besnik Mustafaj u shpreh se përkundër asaj që u deklarua, Brukseli nuk kishte caktuar asnjë format.

“Nuk ka detyrim nga Brukseli kush do të vijë. Ftohet qeveria dhe pastaj vendoset se kush do të shkojë. Rama mund të mos shkonte as vetë. Gënjeu, nuk e ka caktuar Brukseli formulën.” Formatin e kemi caktuar ne në Tiranë. Mandaton kë të dojë qeveria. Ajo që thotë Rama është gënjeshtër. Ai gënjen. Kush e pengonte të merrte nënkryetaren e parlamentit, kryetaren e komisionit të integrimit.” /AbcNews/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb