*Donald Lu: Moratoriumi, shembull mbreslënës
*Koka: Natyra tani ka gjetur ekuilibrat
*Braçe: Ndalimi i gjuetisë do shkojë edhe me tutje

DIVJAKE- TIRANË- Në Parkun Kombëtar të Divjakës janë prezantuar sot rezultatet e deritanishme të moratoriumit 2-vjeçar të gjuetisë, që sipas të pranishmëve në ceremoni ka ndikuar në ndryshimin e faunës së egër në lagunën e Karavastasë
I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Rama tha se kjo copëz e mrekullueshme e Shqipërisë i është nënshtruar procesit të rilindjes.
Në këtë zonë ku ka pasur papërgjegjshmëri njerëzore, tha Rama popullata e faunës së egër ishte kthyer në një minimum jetik. “Studimet kanë treguar se ne Shqipëri strehohen 180 mijë specie që vijnë për të dimëruar. Një shifër e lartë për sipërfaqet ujore që Shqipëria ka, ndër të cilat është edhe Karavastaja”.
Duke u ndalur tek moratoriumi, Rama tha se “Ky raport me natyrën dhe faunën është një raport prej të cilit varet drejtpërdrejt ekonomia jonë, zhvillimi ynë. Moratoriumi ndikon tek rritja ekonomike, mirëqenia, zhvillimi”.
Rama ndër të tjera paralajmëroi gjuetarët se ëndrra e tyre për gjueti mund të shtyhet edhe për ca kohë.
“Unë hyj tek ata persona që besoj bashkë me Erjonin themi që është më mirë që gjahtarët ta shtyjnë edhe ca vite ëndrrën për të filluar të vrasin shpendët, kemi nevojë për rikuperim të plotë të gjithë kësaj faune”.

DONALD LU, MORATORIUMI SHEMBULL MBRESLËNËS
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, i cili u shpreh i lumtur që sot nuk po fliste për politikë, ndërsa vlerësoi lart vendosjen e këtij moratoriumi.
“Është kënaqësi e madhe që marr pjesë në këtë ceremoni. Jam i lumtur që s’po flasim për politikë e protestë, por për një temë siç është mbrojtja e kafshëve të egra dhe zogjtë. Moratoriumi i gjuetisë është një shembull mbresëlënës se si mund të mbrohet ekosistemi.

“Unë shpresoj që fëmijët e mi dhe brezat e fëmijëve shqiptarë të kënaqen me shikimin e këtyre zogjve të mrekullueshëm në natyrë”, tha ai ndër të tjera.

MORATORIUMI, KOKA: NATYRA KA GJETUR EKUILIBRAT
I pranishëm në këtë ceremoni, ministri i Mjedisit Lefter Koka u shpreh se falë këtij moratoriumi mjedisi ka gjetur ekuilibrat. “Po punojmë fort dhe shpejt për një ligj për të mundësuar një Shqipëri më të pasur. Për ne çdo metër tokë është shumë me vlerë. Për vite të tëra natyra u keqtrajtua nga individi kryesor që vetëm natyrën kishte gjënë e fundit që e përkëdhelte, ish kryeministri shqiptar”.
Koka theksoi më tej se, “Ne duhet jo vetëm të rimëkëmbim ekonominë dhe besimin por na duhet të përballemi edhe me ata që e rrënuan besimin e ekonominë e Shqipërisë”.
Sipas ministrit vetëm duke punuar bashkërisht mundet të ndryshohet ky realitet.

BRACE: NDALIMI I GJUETISE DO SHKOJE EDHE ME TUTJE
Ndërsa deputeti i zonës, Erjon Brace falënderoi banorët e zonës, që sipas tij me sa kanë mundur janë përpjekur ta ruajnë këtë pasuri kombëtare. Sipas tij ndalimi i gjuetisë mund të shtyhet edhe më shumë se dy vite.
“Banorët e Divjakës e kanë mbrojtur këtë park, janë ndeshur me abuzues e keqbërës që vijnë të shfryjnë pasionet kundrejt pagesës pikërisht këtu. Ndalimi i gjuetisë besoj se do shkojë edhe më tutje se sa është parashikuar”
“Ta rikthejmë Shqipërinë natyrale për fëmijët tanë dhe për këdo në botë që dëshiron ta njohë dhe të ndajë me ne pushimet e tij këtu”, shtoi ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: