TIRANË- Arjan Hoxha do të jetë Drejtori i tretë teknik i kërkuar nga opozita në bazë të marrëveshjes Rama-Basha. Hoxha është emëruar në krye të Drejtorisë së Burgjeve dhe kryeministri Edi Rama e ka firmosur sot vendimin.

Hoxha mbante më parë detyrën e ish-shefit të Krimit Ekonomik, që ka arrestuar edhe të atin e Sajmir Tahirit, Bashkim Tahirin të dyshuar për kontrabandë ilaçesh.

Ai u lirua nga detyra gati një muaj pasi PS-ja mori pushtetin bashkë me 7 efektivë të tjerë. Siç deklaronte vetë, lirimi nga detyra ishte pasojë e hakmarrjes politike nga ministri i Brendshëm, i asaj kohe, Sajmir Tahiri. Hoxha zëvendëson në këtë detyrë ish-drejtorin, Miklovan Kopani.

Po sot kryeministri ka firmosur emërimin e Arjan Bylykbashit në postin e drejtorit të ri teknik të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ai zëvendëson në këtë detyrë, Ilirjan Muhon.

Arjan Bylykbashi para vitit 2013 ka mbajtur detyrën e drejtorit të Zyrës së Përmbarimit në Tiranë.

Në bazë të marrëveshjes të 18 Majit, Rama-Basha që i dha fund krizës politike u ra dakord që Partia Demokratike përveç një zv/kryeministri dhe 6 ministrave teknikë merrte edhe 5 drejtori kyçe në administratën shtetërore, respektivisht Drejtorinë e Burgjeve, Drejtorinë e Hipotekës, të ALUIZNI-t, të OSHEE-së si edhe Drejtorinë e Agjencisë së Bujqësisë.

Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama firmosi edhe emrin e Ibrahim Morinës në postin e drejtorit të ALUIZNI-t duke zëvendësuar kështu Artan Lamen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: