Kryeministri, Edi Rama, është pritur nga homologu i tij holandez Mark Rutte, ndërsa zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se bashkëpunimi mes vendeve ka qenë i shkëlqyer, ndërsa theksoi se Holanda është vendi me investime më të mëdha në Shqipëri.

“Është vërtet një dhuratë , të jesh sot këtu dhe pres me padurim darkën me Mark për ditëlindjen time. Është më i ri por ka shumë përvojë. Ne duhet të punojmë se bashku në Samitin e NATO-s dhe falë Mark unë kisha fjalimin më të shkurtër sepse ai e tha përse duhet të jemi mbështetës ndaj Ukrainës. Sa i takon bashkëpunimit tonë dypalësh shpreh mirënjohjen e vërtetë, dhe qëndrimin të tyre të rreptë. Programi ‘Matra’, ka bërë ndryshimin në çuarjen përpara të reformës në drejtësi që ka përforcuar marrëdhënien tonë. Edhe Holanda e kuptoi që ne ishim seriozë në përmbushjen e detyrimeve tona. Holanda mes investuesve më të mëdhenj në Shqipëri dhe presim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër, nëse do jetë kështu do kemi për të festuar për energjinë dhe burimet e reja”, tha Rama.

“Sapo të kemi një po, do të jemi të lidhur ngushtë me atë çfarë ndodh në RMV. Ne do të jemi mbështetës të plotë që të bëjmë të mundur realizimin e hapave të mëtejshëm”, tha kryeministri holandez.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Është një dhuratë e vërtetë të jesh sot këtu dhe pres me padurim darkën me Markun për ditëlindjen time. Ai është shumë më i ri me vite, por ka më shumë përvojë e është më i mençur.

Ne punojmë sëbashku në samitin e NATO-s dhe falë Markut mendova se theva rekordin e fjalimit më të shkurtër të mundshëm sepse Marku e tha fjalë për fjalë atw çfarë do thoja për Ukrainën, se pse duhet të jemi të shqetësuar dhe pse duhet të ecim përpara. Kështu që, nuk ka asnjë fjalë për t’iu shtuar kësaj.

Në fakt, u bëra xheloz që fjalimin që doja të bëja unë e bëri ai. Megjithatë, thënë kjo, dua të shkoj paksa më tej sa i takon bashkëpunimit tonë dypalësh dhe të shpreh mirënjohjen e vërtetë, jo formale, jo diplomatike për Holandën, për qeverinë holandeze, për kombinimin e qëndrimit të tyre të rreptë që në fakt, ishte nervozues njëfarë kohe derisa e kuptuam se për çfarë ishte. Me mbështetjen e tyre reale në terren, përmes një programi të quajtur “Matra”, i cili ka bërë ndryshimin në çuarjen përpara të reformës sonë në drejtësi, që praktikisht ka forcuar po kështu marrëdhënien tonë sepse në fund të fundit, ne kuptuam se Holanda ishte serioze lidhur me kriticizmin e saj, por edhe Holanda e kuptoi se ne ishim seriozë në përmbushjen e detyrimeve tona.

Nga ana tjetër, falë këtij raporti dypalësh, ne shohim më shumë nga Hollanda në vendin tonë. Hollanda tashmë renditet mes investuesve më të mëdhenj në Shqipëri. Kemi Shell-in sigurisht dhe me shpresë presim me padurim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër falë një eksplorimi mjaft intensiv që Shell po bën në vendin tonë. Në qoftë se do jetë kështu, atëherë do kemi për të festuar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë dhe për burimet e reja.

Në të njëjtën kohë, presim me padurim të shohim të materializuar e të vazhdojë bashkëpunimi midis aeroportit të Tiranës dhe Schiphol, ashtu siç po shohim dhe po presim me padurim për zhvillimin e një projekti të ri të portit të ri tregtar dhe ushtarak të Shqipërisë, që është konceptuar dhe projektuar nga Royal Haskoning, një nga ekselencat holandeze.

Më tej, i jam shumë mirënjohës personalisht Markut për përpjekjet e tij serioze dhe vërtetë bujare për të shtyrë Ballkanin Perëndimor më shumë drejt Europës dhe për të nxitur vërtetë më tej Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërkohë që ne kemi bërë detyrat tona.

Në njëfarë mënyrë, Marku më mësoi që mund ta dashurosh Europën, por duhet të përgatitesh që është një dashuri e ashpër.

Do të ndalem këtu sepse siç e thashë, ai tha atë çfarë doja unë të thoja dhe ndoshta pyetjet do të përplotësojnë këtë konferencë shtypi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: