Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë një replike në sallën e Kuvendit ka replikuar me deputetin Ervin Salianji, duke bërë thirrje fillimisht që të votojë konventën për mbrojtjen e të dhënave personale, e më pas nuk i ka kursyer as ironitë, kur tha se nuk e kanë ndarë ende mendjen se cili ishte shkaku i humbjes së zgjedhjeve.

“E di cila është e bukura në këtë sallë çdo të enjte? Se të gjithë diskutimet e opozitës përpiqen të shpjegojnë se ç’ka dash të thotë Rama gjatë javës në prononcime publike.

Por s’ka mëdyshje, se ato që thotë s’lenë hapësirë për mëdyshje se i thotë me zë të lartë dhe u del për zot.

Votoni konventën nëse keni shqetësim për mbrojtjen e të dhënave, sa për patronazhistët, janë instrument politik vullnetar për zgjedhje, dhe të dhënat i kanë marrë në biseda telefonike dhe në kontakt sy për sy, sepse ne kemi guxim t’i takojmë sy më sy ndërsa ju hala se kuptoni se nuk shihni as njëri-tjetrin këtu sy më sy.

Ju i mësoni zgjedhësit tuaj si të përdorin leva dhe dyer të blinduara.

Në fillim thatë blerja e votës, pastaj vendet e punës, pastaj patronazhistët dhe në fund gozhduat Lulin si shkak i humbjes, a ka mundësi ta ndani mendjen kush ishte shkaku?

Votoni konventën të mbrojmë të dhënat personale dhe të dalin më territor dhe të votojnë të lirë, kush të fitojë. Por me ca shof unë këtu, ju akoma se keni mendjen te zgjedhjet se nuk e duroni as dy rreshta më pas njëri-tjetrin, tani kuvendi të vendosë ndonjë barrierë  mes jush, se pastaj Zot na ruj, duhet të hyjë garda”, tha Manja.

Më herët Salianji deklaroi se Lufta e Edi Ramës ndaj SPAK-ut bëhet për tre arsye.

“Rama ka kontroll dhe bën aq sa i duhet. Paratë e taksapaguesve kanë shkuar që të ketë një drejtësi të pavarur dhe të shkohet deri në fund me ata që kanë mbrojtje politike. Edi Rama e bën për t’i thënë partnerëve që i ka pasur patronazhistë kryesorë. I ka keqpërdorur duke i intimiduar midis tyre. Operacionin OFL e përdorën për të intimiduar dhe kërcënuar çdo kriminel e përdorur për Partinë Socialiste. E treta është që të kërcënojë SPK-un për t’i treguar kufijtë. E kërcënon me skualifikim. Me këtë tregon sikur i hodhi hi syve të gjithë shqiptarëve. Nuk ka mbrojtje më të mirë politike për kundërshtarin politik, se sa ta sulmojë kundërshtari politik. Jeni kthyer në akuza nga viti ’90, a thua se nuk keni 30 vite në këtë sallë.

A thua se nuk kanë 30 vite në pushtet. Sot është një retorikë e shpifur, e kanë bërë politikën më interesante te Portokallia te Zona e Bërrylit se sa te Portokallia këtu. Kjo është situata që e ka vendosur PS fokusin e vëmendjen. Çdo autoritar të gjithë këta të llojit të vet që janë në rajon dhe zona të tjera vendosin vetë, njerëzit e vet nga paranoja për të pasur pushtet. Të gjitha mediat merren me këtë. Edhe ne kemi rënë në këtë grackë. Skandale pas skandalesh të denoncuara. Ndërkohë që rritet me 17 mln euro për 9% të punimeve rruga Korçë-Ersekë më shkruajnë qytetarët që nuk kanë marrë akoma shpronësimet për 200 metra, dikush 300.

Nuk i marrin paratë e shpronësimeve, por për oligarkët ka. Ndërkohë që dilja këtu më sillnin një denoncim tjetër se si Ministria e Brendshme, i kishte dhënë tenderin një kompanie që kishte 300 mijë euro më pak ofertë, po ndërkohë Komisioni i Prokurimit i jepej një kompanie që kishte 300 e ca mijë euro më shumë. Këtu diskutohet se si ndahet paraja, keqpërdoren asetet shtetërore në funksion të PS dhe si të mbulohen në media dhe t’i hidhet hi syve shqiptarëve sikur në këtë vend nuk ka ndodhur asgjë”, tha Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: