Ish-kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjës direkt kryeministrin Edi Rama për inceneratorët.

Berisha tha se Edi Rama është njeriu që ka firmosur për kontratën me negociata të mbyllura në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit.

Ai theksoi se janë një seri rrethanash. Edi Rama është i implikuar direkt me thjeshtrën e tij dhe me fushën e Porto Romanos.

“Rama është përgjegjësi kryesor sepse ka mobilizuar fondin rezervë të KM për sipërmarrjen e tij të djegësave. Ato para iu dha Lefterit, hajde t’i vjedhim bashkë. Rama është përgjegjësi numër një sepse ai 8 muaj para se të krijohej sipërmarrja e Mërtirit dhe Zoto, i akordoi bonusin prej 8 pikësh, paçka se ministrja Felaj i kishte thënë se ndërmarrja nuk ekzistonte.

Rama është njeriu direkt përgjegjës për djegësat sepse dokumente të pakundërshtueshme që disponon Arben Ahmetaj faktojnë se ai i ka bërë presion të jashtëzakonshëm Arben Ahmetajt për të firmosur. Janë një seri rrethanash. Edi Rama është i implikuar direkt me thjeshtrën e tij dhe me fushën e Porto Romanos. Me një vendim të veçantë ai e caktoi këtë fushë si fushë depozitimi të mbetjeve inerte të ndërtesave të rrënuara nga tërmeti dhe një ditë zgjohet befas thotë se aty do ndërtojmë një ekopark në mënyrë që ato mbetje të transportoheshin të gjitha me 29 euro në minierën e floririt në Sharrë. Po jo vetëm kaq, por projektin e Ekoparkut, do ta bënte si nënkontraktore kompania ku punon thjeshtra e tij. Jo vetëm kaq, por kompania Zoto do të krijohej 6 muaj para se Rama ta shpallte këtë ide të madhe të vjedhjes dhe me Porto Romanon. Mirëpo SKAP-i është i partisë dhe në fakt është sot për sot organi më i kapur në drejtësinë dhe në të gjithë shtetin shqiptar”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb