TIRANË- Lideri i opozitës Lulzim Basha ka rritur tonet nga çadra e PD-së duke kërcënuar me burg dhe shfarosje. Duke kujtuar një shprehje popullore, ai tha se Rama i ka bërë planet pa hanxhiun, i cili është populli.

“I ka bërë planet pa hanxhinë. Hanxhia nuk jam unë, hanxhia nuk është PD. Sovrani të cilin e ke përjashtuar nga llogaritë po para të cilit shumë shpejt do japësh llogari është populli shqiptar. Republika e re nuk është vetëm republika e demokratëve. Nuk është ideja e Lul Bashës, është thirrja e kohës, është standardi minimal që duan të pranojnë bijtë dhe bijat tuaja. Më shumë se ëndërr ky është ultimatumi i brezit të ri. Lum kush e kupton, mjerë kush e refuzon sepse ëndrra e rinisë nuk ndalet”, deklaroi Basha.

Ai ka përsëritur deklararatën se fundi i republikës së vjetër po afron. “Republika e re ndan një ëndërr për çdo shqiptar. Republika e Re do të thotë që resurset e shqiptarëve, pasuritë e shqiptarëve të administrohen me transparencë, me llogaridhënie vetëm për shqiptarët. Do të marrë fund kjo kastë oligarkësh, ata 5-6 miliarderë. Këto koncesione do të marrin fund që në orën e parë të Republikës së Re. Paratë, plot 250 mln euro çdo vit do iu kthehen shqiptarëve, të gjitha shtresave, pensionistëve që në Republikën e Re do kenë pensionin minimal 250 mijë lekë në muaj. Ky është premtimi i Republikës së re për çdo pensionist, kjo është lufta ku ju ftoj të bashkoheni. Ato 2.8 mln euro të zhvatura nga buxheti i shtetit do t’i kthehen çdo shtrese shoqërore, duke përfshirë biznesin, i cili do ketë garancitë e klimës më konkurruese në rajon, taksën më të ulët në rajon, taksën e sheshtë që të ndezë motorët e ekonomisë”, deklaroi Basha.

Ai tha se ata që helmojnë fëmijët me drogë i pret burgu dhe shfarosja.

“Kush do kapet duke shitur ose duke ofruar drogë fëmijëve shqiptarë e pret burgu i gjatë dhe i vështirë. Republika e re do të jetë e ashpër për ata që helmojnë fëmijët me drogë. Ndaj të gjithë atyre që merren me drogë, ju bëj thirrje hiqni dorë, do donit të duronit litarin në fyt me atë që do t’ju bëjmë nëse do vazhdoni të helmoni fëmijët tanë. E zeza do ju përpijë, do ju shfarosim, policia do marrë rekomandime për ata që shtrijnë drogën ndaj fëmijëve si të shtrish pistoletën, do t’ju asgjësojmë”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: