TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka replikuar sot në foltoren e Kuvendit me deputeten e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj, e cila e ftoi atë të vizitonte Tropojën për të parë si po shkatërrohet natyra aty, si pasojë e ndërtimit të HEC-eve.

Në replikë, i pari i qeverisë tha se 11-të lejet e HEC-eve janë dhënë nga ish-kryeminsitri Sali Berisha, prej të cilave do të ndërtohen vetëm 2, por sipas standardeve evropiane.

“Patjetër do shkoj të shoh rrugën që përfunduam në Valbonë, e përfunduam ne se e kishin lënë rrugëve. Bashkë me zonjën që ngriti problemin e hidrocentraleve duhet të flasim hapur me komunitetin pasi janë 11 leje me urdhër të ish-kryeministrit që ka lindur dhe është rritur në grykën e Valbonës. 6 të tjera i dha në zemër të Thethit. Ju më të drejtë e ngrini problemin se është bërë modë, ka 3 vjet që të gjitha plagët që i hapët ju me keqqeverisjen tuaj na i vishni ne. Po të lajmrëroj se 6 HEC-et në Theth janë anuluar nga ne, duke ndjekur rigorozisht procedurat. Kemi mbajtur rigorozisht në vëmendje edhe procedurën për Valbonën dhe vetëm 2 HEC-e kanë marrë dritën jeshile për shkak pamundësie të plotë ligjore për të bërë anulimin, janë kaluar në filtra njëri pas tjetrit për të garantuar me ekspertizë standarde mjedisore me të njëjta, cilësi projektimi me hidrocentralet e të njëjtës natyrë si në Europën e Veriut nga Norvegjia në Danimarkë e Austri. Kur dëgjoni HEC-e në Valbonë lidhur me këto të dyja mos përfytyroni diga, nuk do ndërtohen strukturat që imagjinoni se teknologjia e përdorur krejt tjetër peizazhi i pacenuar. Ajo që do duket në fund të ndërtimit të tyre janë dy kulla tradicionale të asaj zone. Për çdo vizitor s’do shihni diga por vetëm dy kulla të ndërtuara sipas traditës me të gjithë materialet e zonës, ndërsa për të tjerat nuk po zgjatem”,- tha ai.

Më tej, kryeministri e ftoi deputeten të përcillte tek banorët e zonës që përfaqëson, mesazhin se kjo qeveri do investojë më shumë se ajo e kaluara.

“Shkojmë bashkë në Tropojë, të shohim çfarë po bëjmë ne në Tropojë, jo vetëm të vizitojmë rrugën e përfunduar, por të flasim për hidrocentralet e Saliut dhe të flasim më shumë për atë zonë. Ta dëgjojnë mirë tropojanët, se do bëjmë më shumë se sa bëri Saliu e të gjithë ju”.

Në replikë, deputetja tha se gjendja ekonomike e banorëve në Tropojë është e mjerueshme, ndërsa shtoi se rikualifikimi urban i qendrës së qytetit, nuk do ju japë bukë.

“Faleminderit për durimin. Ta keni edhe atje me patriotët e mi, ti dëgjoni nga vetë ata se nuk janë dëmshpërblyer për dermantozën. Të keni durim të dëgjoni familjet, asnjë serë, asnjë donacion, asnjë subvencion. Do jem me ju dhe do jem aty krah jush. Shkoni i përgatitur se rrugën e ka bërë Sali Berisha, zoti kryeministër. Ta dini që ajo shëtitore do sjellë zero punësim, zero lekë, vetëm do shëtisim. Kthejini sytë nga ato familje që s’kanë lekë as për libra, as për bukë”,- apeloi Hajdarmataj.

Pas saj, kryeministri sqaroi se: “Nuk thashë asnjë fjalë për epideminë e bagëtive, e thashë që rrugën e Valbonës e filloi qeveria e jashtme. S’kam arsye të dyshoj që ju shkoni dy herë në javë atje, por duhet ta dini që e përfundoi kjo qeveri rrugën”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: