TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga kreu i LIBRA-s Ben Blushi, nga foltorja e Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme plenare. Duke e etiketuar si ministrin më të mërzitur nga marrëveshja PD-PS, kryeministri Rama tha ai dhe disa të tjerë kanë tentuar të hedhin baltë mbi këtë marrëveshje.

Sipas Ramës, ata e kanë cilësuar takimin e tij me Bashën si ndarje të kekut, apo byrekut. E pas kësaj, kryeministri thotë se Blushi është i mërzitur për faktin se “nuk e gjen veten në tepsi”.

“Kjo qeveri është krejt tjetër nga ajo që përshkroi deputeti më i mërzitur në këtë sallë nga marrëveshja. Ajo çka më ka ngjallur më shumë neveri, se përshtypje s’më ka bërë, ka qenë se pas marrëveshjes, një lukuni e tërë personazhesh të katundit mediatik dhe politik u turrën për të hedhur baltë mbi marrëveshjen. Dhe s’gjetën asnjë mënyrë më elegante për ta bërë këtë, sesa për t’u marrë me byrekun, kekun, bakllavanë, paçen, dhe gjithë asortimentet e kuzhinës ku të tërhequr nga erërat dhe nga pangopësia e tyre, shumëkush prej tyre hynë për të shpëtuar “katundarët dhe punëtorët nga zgjedha e këtyre dhe atyre”.

Të gjithë e tregonin qartësisht se e vetmja gjë që i shqetësonte te marrëveshja ishte se nuk gjenin vendin e tyre në tepsi. Dhe pavarësisht lukut apo romaneve, Ben Blushi është një njeri që ka një lidhje shumë të fortë me tepsinë. Për fat të keq, vazhdon edhe këtu persiston si zëdhënës i të gjithë atyre që ndihen të privuar në pjesën e tyre të tepsisë”, tha Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: