Kryeministri Edi Rama tha me tone të prera nga foltorja e Kuvendit se ’30 korriku’ nuk lëviz dhe të gjitha palët politike duhet ta kenë të qartë këtë.

Sipas tij, më 30 korrik mazhoranca dhe opozita parlamentare do të votojnë ndryshimet kushtetuese, listat e hapura dhe koalicionet, të cilat do të ndërtohen si si kudo në Evropë.

Duke iu përgjigjur akuzave të Presidentit Ilir Meta për ndryshimet kushtetuese, i pari i qeverisë theksoi se Kushtetuta e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë se atij as nuk i kërkohet fare të ketë një opinion, thjesht i duhet ta pranojë, siç do e pranojnë të gjithë.

“Së dyti, 30 korriku. Kushtetuta e ka shkruar e zeza mbi të bardhë, që presidentit as nuk i kërkohet fare të ketë një opinion, thjesht duhet ta pranojë sic do e pranojnë të gjithë. Kështu do ta njohin dhe do t’i nënshtrohen ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut të gjithë. Kështu Korab, dhe mos e kujto me nostalgji partinë e vjetër, të renë bëje që mos i ngjajë fare të vjetrës. Kështu 30 korriku nuk lëviz, të jeni të qartë, pastaj problematika si hapja e listave, patjetër që mund të jetë dhe 100%, por kjo bëhet me diskutim dhe jo me ultimatume e statuse. E dyta, koalicionet, vazhdojnë prapë se do hiqen koalicionet, e cuditën dynjanë. Të drejtën për t’u bashkuar në një cadër ne nuk do ta heqim, por do ta sanksionojmë. Sigurisht që janë të ftuar, të mirëpritur, të na bashkohen në diskutim.

Ishte Murrizi e Hajdari dëshmitarë, kur iu tham ‘na tregoni një vend që e ka koalicionin sic e kemi ne sot’ dhe përgjigjja që morëm ishte se ‘është në një libër të “La Sapienza”. Ndërsa në mbledhjen e fundit doli që ishte Letonia, por që në fakt e ka sic e themi ne sot, jo sic e kemi. Neve na gjeti ky taksirat, me një opozitë brenda, një jashtë, do ta mbajmë deri në fund, por duke ua bërë të qartë të dyjave, se asnjëherë nuk mund t’i kërkojë të gjitha sic i do vetë. Ata që janë jashtë fakti që janë jashtë nuk u jep ndonjë pushtet të vecantë, por nuk duhet të harrojnë se këtu në sallë vendosen gjërat. Në tërësi kam shumë më tepër respekt për opozitën që është këtu në sallë, se sa për atë që është jashtë. Edhe kjo në sallë ka disa hudhra që janë për të prishur syrin e keq dhe po e prishin me sukses, kështu që më 30 korrik do të votojmë atë që kemi rënë dakord, listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Evropë”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb