Kryeministri Edi Rama ka uruar Igli Taren i cili sot feston 47- vjetorin e lindjes.Rama thotë se Tare është shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit europian pasi përveç karrierës si futbollist e ka kthyer tashmë si drejtor sportiv Lazion në Itali në një armatë mbreslënëve.

Rama ndërkohë uron që Taren ta shohë si drejtues tek ekipi i tij i preferuar, Juventus dhe jo tek Milan siç kryeministri ka frikë se ka gjasë të ndodhë.

 

STATUSI NGA EDI RAMA

#EDHE100?

IGLI TARE është padyshim shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit europian. Më kujtohet shumë vite më parë silueta e tij, kur ne të Dinamos dilnim për vrap në ish-fushën e Aviacionit, ku bashkë me të vëllain Auronin, dy kalamajtë kolosë e “kokëlakër”, i nështroheshin stërvitjeve të pamëshirshme të të atit, mjeshtrit të sportit e dikur kolosit kampion të hedhjes së diskut, Isa Tare, i cili u kishte imponuar djemve një regjim stërvitjesh që do ta kishin zili edhe marinsat amerikanë. Auroni arriti në skuadrën e parë të të kuqve të pathyeshëm që nën udhëheqjen Gaz Çaçit, vendosën diktaturën në parketin e basketbollit shqiptar për vite me radhë, ndërsa Igli pasi veshi fanellën e shpresave kuqezi, mori arratinë drejt Bundesligës, ku arriti të bënte emrin e tij, për t’u zhvendosur më pas në Serie A tek skuadra e Lazios. Presidentit Lotito i ra bixha me kolosin shqiptar, që jashtë fushës së blertë spikaste me stofën e liderit dhe i besoi as më shumë e as më pak, po çelësin e zyrës së drejtorit teknik të armiqve të Romës.
Nën drejtimin e Igli Tares Lazio u kthye në një armatë mbresëlënëse, e cila ka një bilanc të pabesueshëm mes shpenzimeve shumë më të ulëta se sa klubet elitare të Serisë A dhe vendit që ka zënë në klubin e të mëdhenjve të futbollit italian.
Sot Igli është aseti më i kushtueshëm i Lazios dhe në ditën e tij të lindjes, i uroj të ketë edhe 100 vjet shëndet e sukses, duke uruar njëkohësisht që një ditë ta shoh në krye të Juventusit (jo të Milanit siç kam frikë se do ndodhë:-)?

#TëRRALLË


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb