TIRANË- Kryeministri Edi Rama iu ka përcaktuar edhe disa rregulla inspektorëve të AKU-së në lidhje me veprimtarinë e tyre për masat administrative ndaj subjekteve. Në mbledhjen me punonjës të këtij institucioni ku është prezantuar drejtori i ri i AKU, Rama urdhëroi inspektorët të mos vënë gjoba pa i argumentuar si duhet. Në të kundërt kush vendos gjoba, paralajmëroi kryeministri do të ikë nga puna.

“T’i pritet fyti që e ka pushtuar AKU-në me gjobaxhi që terrorizojnë kë ti dalë përpara. Të jemi shumë të qartë, nga njëra anë mbyllja e thertoreve, nga ana tjetër ndalimi i gjobave rrugëve. Për çdo gjobë duhet të ketë argumentim shumë të qartë. Përndryshe kush vë gjobë do largohet nga puna, po nuk e argumentoi si duhet. AKU është institucion standardesh jo gjobash. Nuk është ky qëllimi pse është ngritur ky institucion. Është e papranueshme kjo, e turpshme”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi drejtorin e ri të AKU Agim Ismaili dhe shprehu besim se do të ndryshojë thelbësisht këtë institucion.

“Kam shumë besim që drejtuesi i ri i AKU i cili edhe vetë është në provë në këto 100 ditë, me eksperiencën, integritetin dhe aftësitë e tij menaxheriale do të ndryshojë thelbësisht drejtimin dhe sjelljen e këtij institucioni”, u shpreh Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: