TIRANË – Kryeministri Rama duket se është sulmuar sot nga disa studentë me thirrjet “mashtrues, mashtrues” në Asamblenë Botërore të Rinisë, mbajtur në Tiranë, me rastin e 8 Dhjetorit. Sulmin e ka dëshmuar me një fotografi, ish-kreu i Qeverisë, Sali Berisha. Në këtë takim ku Rama ka mbajtur një fjalim me mesazhe për të rinjtë, sipas Berishës, ai është detyruar të largohet me shpejtësi nga salla pikërisht prej tyre, i mbrojtur nga dhjetra truproja.

Nisur nga fotografitë, studentët janë nga ajo pjesë që nuk mundi të vazhdojë studimet e larta në degët e përzgjedhura, pas mbylljes së disa universiteteve private nga Qeveria. Janë vetëm katër studentë që mbajnë në duar fletushkat ku shkruhet “Jam student, jo klient” dhe që kanë bërë zhurmë mjaftueshëm sa për të tërhequr vëmendjen.

Sikurse rrëfen ish-Kryeministri në shënimin e tij në Fb, ishte fat që në këtë konferencë ishin të pranishëm disa të huaj, në të kundërt, studentët do të përballeshin me policinë.

“Sot, – shkruan Berisha në Fb, – studentë të universiteteve të vendit, përcollën me protestë fjalën e Edi Ramës në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Tiranë. Gjatë fjalës së Ramës, studentët hodhën në sallë parullat: “Mashtrues, mashtrues!” si dhe mbanin në dorë në tavolinat ku ishin ulur, parulla si “Ul tarifat, jam student, jo klient!; rrit kuotat; mbaj premtimet; mashtrues” etj. Studentët patën fat me praninë e të huajve në sallë, pasi përndryshe, Policia do i’u merrte parullat, siç jua mori ato pardje, protestuesve në Shkodër.

Rama, i rrethuar nga një hordhi badigardësh, u largua me shpëjtësi nga konferenca, i përcjellë nga thirrjet: “Mashtrues!” Ju lumtë studentëve guximtarë!” – përfundon ish-kreu i Qeverisë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb