Fabrika e prodhimit të profileve metalike “Papmetal” në Xhafzotaj, një kompani që kryeson në tregun shqiptar në këtë fushë, prej dy vitesh ka dyfishuar prodhimin, edhe me ndihmën e incentivave fiskale të qeverisë në nxitje të prodhimit vendas dhe luftës kundër informalitetit.

Në këtë fabrikë ishte sot Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, për t’u njohur nga afër me efektet që masat lehtësuese të qeverisë kanë sjellë për biznesin.

Kjo kompani, e ngritur që në vitin 1993, në dy vitet e fundit arriti të ndërtojë një fabrikë të re dhe të ketë në proces një tjetër objekt me kapacitet edhe më të madh. Projektimi i drejtuesve të fabrikës është për dyfishimin e volumit të prodhimit nga 25 mijë tonë në 50 mijë tonë, duke mbuluar tërësisht kërkesat e tregut vendas. Administratori i saj thotë se vështirë ta arrinte objektivin, nëse nuk do t’u krijoheshin hapësira të reja nga lehtësitë fiskale të qeverisë dhe veçon rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së dhe heqjen e TVSH-së për makineritë e pajisjet për prodhim. Ai shpjegon se nga 1 milionë euro investime në infrastrukturën prodhuese, kishim 200 mijë euro kursime, të cilat i riinvestuan në prodhim.

“Në 2014-të me 2015-të, kompania jonë ka pasur goxha ngritje, si në sasi dhe shifra. Meqenëse kemi pasur ulje të çmimit të lëndës së parë, tani janë ngritur shitjet. Çdo vit, kompania ka ardhur duke u ngritur dhe këto hapat e mëdhenj i ka bërë këto dy vitet e fundit. Investimi më i madh që është bërë këto dy vitet e fundit është rimbursimi i TVSH-së. Në një investim 1 milionë euro, nga gjithë TVSH-ja, 200 mijë euro në doganë nuk e kemi paguar”, tha administratori.

I kënaqur, ai shprehet, edhe për operacionin kundër informalitetit. Si kompani, ai ka ndjerë vlerën e këtij operacioni, pasi të gjithë klientët e tij, tani nuk kërkojnë të bëjnë më blerje pa faturë dhe kjo i ndihmon në rimbursimin e TVSH-së. “Ka qenë një lehtësi shumë e madhe, më tepër ajo që ka qenë pjesë e informalitetit. Gjithë kompanitë e vogla më parë kishin probleme, se çdo gjë ne e kishim të deklaruar dhe nuk pranonin të merrnin. 100% kjo pjesë ka ikur. Tani, ai që vjen është me licencë dhe kërkon faturën. Të gjithë saldatorët janë me licencë”, tha administratori, teksa vlerësoi edhe lehtësitë e krijuara për të marrë lejen, pasi ka dorëzuar projektin dhe planin e investimit.

Heqja e taksës për biznesin e vogël dhe zanatet ka pasur si efekt të parë formalizimin e aktivitetit të tyre dhe në efekt zinxhir do t’i krijojë frymëmarrje edhe biznesit të madh. “Ka ndikuar dhe do ndikojë shumë gjatë këtij viti, u shpreh Kryeministri, fakti që biznesit të vogël dhe sidomos këtyre zanatçinjve që janë pjesë e biznesit të vogël, taksa iu bë zero. Tani, ata nuk kanë më problemin si të deklarojnë të ardhurat se mos kushedi ngjiten mbi masën limit dhe pastaj hyjnë në biznes të madh, por kanë problemin tani, si të jenë rregull me faturat, sepse heqja e taksës është e qartë që nga ana tjetër rritet ndëshkimi, në rast se ti vazhdon dhe bën evazion dhe nuk je në rregull me faturat. Kështu që kjo do ju lehtësojë të gjithëve”.

Gjithashtu, efekt pozitiv për rritjen e kërkesës për produktet e tyre, sipas drejtuese të kompanisë, ka sjellë edhe pajisja me NIPT e fermerëve, të cilët kanë rritur këtë vit kërkesën për profile metalike për ndërtimin e serave, sidomos nga zona e Lushnjes, Mallakastrës dhe Vlorës. “Nuk kishin NIPT dhe ne nuk i furnizonim. Tani e kuptojnë dhe vetë rëndësinë e NIPT-it që ka fermeri. Edhe ne e kuptojmë këtu, se e shikojmë që na vijnë direkt. Më parë vinin nëpërmjet të tjerëve që t’i merrnin, tani kanë NIPT-in e vet dhe vijnë”, tha administratori.

Hezitimi fillestar për pajisjen me NIPT, u shpreh Kryeministri, erdhi për shkak të mashtrimit që iu bë fermerëve për domethënien e NIPT-it. “I gënjenin, që po morën NIPT-in, do paguani taksat. Ndërkohë që NIPT-i është formalizim dhe ti je përfitues i TVSH. Në qoftë se ke NIPT dhe merr 20% mbrapsht. Pra, në qoftë se ke NIPT, jo që s’paguan taksa, por 20% më pak.”

Kryeministri u interesua për sjelljen e administratës tatimore ndaj biznesit. “Kemi pasur një marrëdhënie shumë të rregullt”, ishte vlerësimi i drejtuesve të kompanisë.

“Papmetal” është edhe fituese e çmimit “Blerta e Artë” për suksesin e saj në sipërmarrje./ATA/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: