Zëvendëskryeredaktori i gazetës ‘Panorama’, Aristir Lumezi deklaroi se kryeministri Edi Rama përdori një gjuhë intimiduese në drejtim të Kosovës sot në Beograd, në kuadër të nismës “Open Balkan”.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lumnezi pohoi se Rama duhet të jetë një nga ata liderë që të promovojë dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk jam ekonomist që të them që nga ana ekonomike se cila mund të jetë e nesërmja e kësaj nisme. Qarkullimi i lirë i mallrave, në parim është lehtësim për bizneset. Vendet që janë prodhuese janë të favorizuar nga lëvizja e lirë. Nëse Serbia është më prodhuese në rajonin tonë, ne jemi në pozita të disfavorshme. Kufijtë janë apo jo me barriera, ne jemi në disfavor. Aktualisht jemi në disfavor pasi prodhimi ynë nuk konkurron tregun rajonal. Duhet dëgjuar zëri i biznesit. Gjithmonë dëgjohen nisma politike, por harrohet zëri i biznesit. Ajo që më lë në shije jo të mirë, që ne duhet ta shmangim është gjuha e kryeministrit në Beograd, ku intimidon Kosovën kur thotë; “Duhet të të patjetër këtu, pasi fiton”. Një gjuhë e tillë në Beograd, nuk shërben. Do ta krahasoja si dikush që është martuar me dikë që familja nuk ia do, por ai është i dashuruar me të dhe nuk pyet as motrën dhe vëllain dhe e trumbeton si njërin më të mirë në botë. Rama është përfshirë kaq shumë ndaj ‘Ballkanit të Hapur’ saqë pjesën tjetër e intimidon dhe flet me gjuhë arrogante. Kur ti del në një ambient të hapur rajonal, duhet të favorizosh krahun tënd, por bën të kundërtën. S’e faktorizon faktorin shqiptar.”, tha ai.

Pyetjes se kush qëndron pas përveç 3 vendeve në këtë nismë, Lumnezi tha se; “është ende e paqartë. BE mbështet tregtinë e lirë mes vendeve. Kjo është marrëveshje mes vendeve. Bëhet fjalë për një grup njerëzish që duan të hyjnë në BE. Rama ka thënë se procesi i Berlinit ngec në një vend. Nëse e shohim gjeo-politikisht, më bën përshtypje se zoti Rama është para një bote sllave. Ai do të ishte më i fortë nëse kishte para dhe në shqiptar. Aty është faktori serb me një shqiptar, për një përballje politike. Ne do të jemi dorë e dytë, pasi pjesa sllave është më e konsoliduar. Duhet të jemi jo vetëm dinjitoz, por dhe numërim që të jemi pjesë e kësaj nisme.”.

Po ashtu gazetari ka komentuar edhe vendimin e sotëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të cilat kërkonin zhbërjen e 30 qershorit dhe përsëritjen e zgjedhjeve lokale. Lumnezi tha se 30 qershori ishte mbyllur nga Komisioni i Venecias, kur u publikua edhe raporti i tij. Tashmë sipas tij, pritet që Presidenti të dekretojë dhe të shpallë datën e zgjedhjeve për ato bashki ku nuk ka kryetarë, apo ka mbaruar mandati, siç është rasti në Shkodër i Voltana Ademit.
“E kishte mbyllur komisioni i Venecias. Ai e kishte thënë shkoqur se; Kushtetuesja s’ka tagrin që të gjykojë për çështjen e zgjedhjeve. Legjislacioni ka ndryshuar. Deri në 2011-in ka qenë Gjykata Kushtetuese për mandatin. Por tani nuk është më. Pyetjet që Kushtetuesja i kishte bërë Venecias nëse zgjedhjet ishin apo jo moniste. Duke e lexuar opinionin e Venecias thuhej; presidenti ka të drejtë të dekretojë dhe jo të zhdekretojë. Zhdekretimi është akt antikushtetues. Kishte disa momente që mbyllin këtë pikëpyetje të 30 qershorit. 30 qershori përfundoi. Vendimi i gjykatës ishte vendim përfundimtar dhe për ata që prisnin një vendim tjetër dhe mund të shkohej në përsëritjen e zgjedhjeve vendore. Tani nuk ka asnjë pengesë, apo mëdyshje për një vendim të ardhshëm që presidenti të shpallë zgjedhje të parakohshme për ato bashki që nuk kanë kryetarë të zgjedhur, si zonja Ademi që është në detyrë përtej mandatit.”, deklaroi gazetari.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, Lumnezi tha se nga “përballja” Berisha-Basha veçse po dëmtohet partia dhe nuk po prodhohet asnjë rezultat pozitiv. Ai tha më tej, se Berisha duhet të kërkonte provat që janë kundra tij dhe t’i pasqyronte, në mënyrë që të fitonte një shkallë besueshmërie më të madhe.
“E shoh në dy aspekte. E para energji e harxhuar fort, se në fund është një PD më e dobët, e përçarë. Me deputetë që një pjesë mbështesin zotin Berisha dhe disa zotin Basha. Mua më bën përshtypje fakti se të njëjtët deputetë që mbështesin Berishën dhe akuzojnë zotin Basha, ishin në konsensus të plotë me lidershipin. Në momentin që Berisha i kthehet zotit Basha, po këta deputetë dalin në krah të zotit Berisha dhe i dalin kundër Bashës. Kjo është jo koherencë. Në syrin e publikut njerëz jo shumë të besueshëm dhe jo korrekt mbi qëndrimet e tyre. Nëse mangësitë e zotit Basha ata i shikonin dhe nuk i denonconin, ata sot dalin dhe me të drejtë mund të thonin po ju ku ishit dje? Kjo krijon amulli, që çon mullirin te qeveria që është në pozicione më komode.

Po ashtu, gazetari u pyet edhe për faktin se Parti Demokratike në 7 bashki shumë të shpejtë elektorale që mund të jetë brenda disa muajsh.

“Është momenti për të treguar se cili është ai që punon për interesat e PD, do fitoren e PD. Nëse do të qëndrojmë te kjo pjesë, është një deklaratë e zotit Berisha kur thoshte që është depozituar në Gjykatën e Parisit dosja e tij për t’u mbrojtur. Mbaj mend që një republikan kërkoi të dhëna për dosjen Berisha, ndërsa përgjigja e Blinken tha se është ndjekur e njëjta procedurë për të gjithë personat e shpallur non grata. Unë bëj pyetjen, se përse Berisha dhe Mediu që kanë mbështetës te Republikanët, pse nuk kërkojnë që ai republikan të tregojë të dhënat që ka marrë. Ka zero informacion nëse Berisha ka marrë informacionin. Por kjo duhet sqaruar nga vetë ai.”, theksoi Lumnezi.

Gazetari analizoi edhe akuzat ndaj Berishës në raport me ata që e mbështesin atë.

“Marrëdhëniet personale me ato politike janë të ndryshme. Në këto momente, nëse shikojmë mbështetësit në disa takime në Tiranë, ishin ose disa zyrtarë, drejtorë, zv. ministra. Njerëz që kanë qenë të punësuar gjatë kohës që PD ka qenë në pushtet. Ata ndoshta te Basha nuk shohin të ardhme që mund t’i kthejë në pushtet dhe besojnë te Berisha që në moshën 80-vjeçare t’i rikthejë në krye. Për aq kohë sa baza ka heshtur, sot, nuk mund të entuziazmohesh e të thërrasësh liderin, ku aty ka qenë lideri, e i ka lënë aty ku janë sot.”, pohoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb