Mënyra se si Edi Rama po sillet me heqjen e mundësisë për koalicion dhe me ndryshimin e njëanshëm të rregullave të lojës, është dëshmia më e mirë që ilustron atë që ka bërë këto shtatë vite në qeverisje, dhe sidomos hatanë që po përgatit për 25 prillin.

Për ta thënë më thjeshtë, ai do të luajë në fushë edhe rolin e futbollistit apo basketobollistit, por njëkohësisht edhe atë të arbitrit që jep penallti apo personale në favor të vetvetes.

Kjo që po ndodh se fundi në betejën me opozitën është vërtet e pabesueshme. Duke e ndjerë se e kishte të sigurtë humbjen përballë një koalicioni PD- LSI, kreu i qeverisë vendosi t’i ndalojë ato të garojnë së bashku.

Për këtë ai shkeli marrëveshjen e 5 qershorit në dy nene (19 dhe 36), ndryshoi në mënyrë të njëanëshme kushtetutën në 30 korrik dhe me një sjellje krejtësisht të paturpshme, as nuk do t’i përmbahet marrëveshjes që të gjitha palët nënshkruan në 14 janar, me garanci ndërkombëtare, sipas së cilës “në rast mosdakortësie për çështje të caktuara, Këshilli Politik i drejtohet OSBE/ODIHR-it, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”.

Argumentat për të mos pranuar një arbitër që jepen nga shumica qeverisëse janë idiotësisht të frikshme: nuk kanë të drejtë të huajt mbi sistemin tonë ekektoral; tani s’kemi ç’të bëjmë se kushtetutën e ndryshuam e s’mund të kthehemi pas; kjo kërkesë i tejkalon kompetencat e ODHIR; opozita nuk do të dorëzojë një draft.

Së fundi, PD- LSI e plotësuan edhe këtë tekë të fundit dhe e çuan në Këshillin Politik, propozimin e tyre. Por ato nuk u mjaftuan me kaq. Ato e ngritën atë mbi bazë të një premise: se ndryshimet shkel e shko të kushtetutës që u bënë në 30 korrik, me ndihmën e sharlatanëve të opozitës së re, nuk e pengojnë krijimin e koalicioneve ku çdo parti mund të garojë me listën e saj. Dhe mbi këtë bazë opozita kërkon t’i çojë për propozim ODHIR-it ruajtjen e koalicioneve ashtu siç kanë qenë në tre zgjedhjet e fundit parlamentare.

Natyrisht, interpretimi që opozita u bën neneve 68 dhe 96 të kushtetutës, sipas të cilave koalicionet me lista shumëpartiake nuk pengohen, mund të hajë diskutim. Për debatin, ku qeveria pretendon se koalicionet e këtij lloji janë shfuqizuar dhe PD- LSI thonë të kundërtën, fjalën duhet ta thonë konstitucionalistët dhe ekspertët e sistemeve zgjedhore.

Pikërisht për këtë, opozita po aplikon qasjen normale: kemi një mosmarrëveshje prandaj t’i drejtohemi arbitrit që kemi caktuar së toku. Le ta gjykojë ai se cili ka të drejtë, le të shprehet ai nëse ka apo jo kompetencë për të vendosur mbi këtë çështje, le të japë ai mendim nëse ndryshohen apo jo rregullat në mes të garës.

E këtu Rama dhe rilindasit e tij po tregohen qesharakë: Ata duan të bëjnë edhe palën edhe gjykatësin edhe lojtarin edhe arbitrin, pa e lënë ODHIR-in të shprehet.

Kaq e thjeshtë është kjo histori.

Njësoj si ajo që kemi parë këto tetë vjet, ku në PS nuk u zhvilluan kurrë zgjedhje për kryetar, kur paratë më të mëdha publike u shpërndanë pa tendera, kur një qeveri drejtoi shumicën e mandatit pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, ku edhe në votimet lokale që organizoi në mënyrë moniste, pasi nuk kishte më kë të vidhte, vodhi vetëveten.

Kjo sindromë diktatoriale për të qenë vetë Ali vetë Kadi, madje dhe vetë Kadri, që nuk i është ndarë Ramës gjatë gjithë qeverisjes së tij, po shfaqet fare hapur edhe në përpjekjen për të përgatitur rrugën për mandatin e tretë. Prandaj nuk duhet të çuditemi se kemi ende shumë për të parë, deri në 25 prill, nga njeriu që dështoi dikur mbi parket, se aty nuk bënte dot edhe basketbollistin edhe arbitrin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: