TIRANË

Nga qyteti i Vlorës, në fushatën përmbyllëse të PS për zgjedhjet e 25 prillit, kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje vlonjatëve t’i japin nëntë mandate, duke premtuar se do ta bëjë qytetin bregdetar 12 herë më të bukur, nga ç’është tani.

Sipas kryeministrit, Vlorës i kthyen kurrizin për vite me radhë si të majtët, si të djathtët, ndaj dhe ai kërkoi 9 mandate për të vijuar, sipas tij, transformimin e këtij qyteti, që i jep kuptim Shqipërisë.

“T’i japim fund me Saliun, Lulin, Monikën, e çdo paçavure që 30 vite na janë qepur mbrapa si fantazma të së shkuarës. A ju kujtohet si e lanë Vlorën edhe të majtët, edhe të djathtët. Të majtët thonin ‘ata i kemi në xhep’, të djathtët thonin ‘ata me ne nuk bëhen kurrë’ dhe të dyja palët ja kishin kthyer kurrizin këtij vendi, që i jep kuptim shqiptarisë. Nëse më 25 prill, më jepni mua dhe PS 9 mandate, ju them se në katër vitet e ardhshme do të bëj 12 herë më shumë për Vlorën, se ç’kemi bërë në këto dy mandate. Vlora e pas 4 viteve do jetë 12 herë më e mirë se kjo që është sot. Kur them Vlora, unë them Shqipëria”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb