TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “Ballkani i hapur nuk do të ndalet”. Në një reagim pas deklaratave të Presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, të cilët u shprehën kundër kësaj nisme Rama shkruan në “Twitter” se kushdo që është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet, por se kjo nismë nxit paqen dhe përshpejton Procesin e Berlinit

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nismë nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, shkruan Rama.

Rama Twitter
Rama Twitter

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, sot në një konferencë për media theksuan se Procesi i Berlinit është iniciativa për bashkëpunim ku duhet të fokusohet Ballkani Perëndimor dhe jo “Open Balkan”.

E pyetur rreth iniciativës “Open Balkan”, Osmani tha se nga takimi i fundit i G7 është theksuar se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor përkrahet në kuadër të Procesit të Berlinit ku Kosova ka treguar konstruktivitet dhe ka për qëllim t’i ofrojë vendet e rajonit drejt BE-së.

“Për dallim prej ‘Open Balkan’ që ka dëshmuar sidomos muajt e fundit se do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim më të madh të Rusisë dhe këtë duhet ta ndalojmë me çdo kusht… Po ashtu në vend se ta përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt BE-së do t’i vendoste në dhomë të pritjes dhe do ta zgjaste procesin e integrimit”, u shpreh Osmani.

Sipas Osmanit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe Serbia nuk mund të flasin për bashkëpunim e parime evropiane kur tentojnë të vendosin çdo pengesë të mundshme ndaj Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, organizatë kjo që ka të bëjë me të drejtat e njeriut.

Ndërkaq, Gjukanoviç tha se nuk janë pjesë e iniciativës “Open Balkan”.
“Jemi shumë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit rajonal ekonomik…Ky orientim parimor nuk do të thotë se i kemi sytë mbyllur. Por, ne mendojmë se në këtë temë kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit… Kjo iniciativë është komplementare në rrugën drejt integrimit evropian….”, tha ai.

Sipas tij, ‘Open Balkan’ ka ardhur në një moment të depresionit në rajon, kur e ka përfunduar mandatin kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kur u mendua se është vënë në pikëpyetje integrimi evropian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb