TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar sërish Vasilika Hysin dhe Eglantina Gjermenin, dy deputetet e PS që nuk do të garojnë për një mandat tjetër në zgjedhjet e 25 prillit.

Rama nuk i kursyel lëvdatat për të dyja zonjat, për të cilat tha se hyjnë në një kategori shumë të veçantë fisnike të politikës, teksa iu atribuoi merita në shumë ligje dhe reforma.

“Kemi ndarë një moment të veçantë me dy prej tyre, Vasilika Hysin dhe Eglantina Gjermenin të cilat u tërhoqën nga jeta parlamentare me një klas të lartë jo thjesht duke bërë një gjest por duke dhënë dhe një leksion të bukur urtësie e ndjeshmërie ndaj familjes sonë politike. Të dyja u angazhuan në skuadrën tonë kombëtare 12 vjet më parë me ftesën time dhe sot pas 12 vjetësh ato vendosën që ta vazhdojnë bashkëjetesën në këtë familje të madhe pa qenë pjesë e skuadrës sonë kombëtare. Ato hyjnë në një kategori shumë të veçantë fisnike të politikës, ku ka dhe nga ata dhe nga ato që punën e kanë shumë të madhe ndërsa zhurmën e kanë zero.
Gjurmët që kjo kategori lë pas janë në ligjet dhe projektet të cilat e çojnë shoqërinë përpara si dhe në mbresat e atyre që kanë fatin t’i njohin. Vasilika dhe Tina kanë dorë në plot akte legjislative të kuvendit, në aktivitete të dobishme në mbështetje të grave dhe fëmijëve, janë një numër i gjatë në këtë 12-vjeçar gjërat në të cilat njëra dhe tjetra kanë kontribuar në vijë të parë, që nga reforma në drejtësi tek reforma për territorin, ligjet për fuqizimin e grave, të minoriteteve, paketat kundër diskriminimit seksual dhe plotë të tjera.
Nëse do ndalesha në punën e tyre do ngeleshim pa e prezantuar skuadrën tonë. Faleminderit nga zemra, 1000 herë faleminderit”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb