Kryeministri Edi Rama premtoi një rritje të konsiderueshme pagash për të gjithë mjekët dhe infermierët, që prej muajsh po përballem me koronavirusin, në vijën e parë të betejës.

Gjatë një takimi me mjekët e Spitalit Infektiv, ku trajtohen të infektuar me Covid-19, kryeministri deklaroi se nuk flitet për një rritje page me 5 apo 7%, por duke filluar nga viti i ri 2021, do të ketë një rritje të konsiderueshme pagash.

“Duam të realizojmë një rritje të konsiderueshme pagash, jo 5 apo 7%. Do bëjmë një rritje pagash të konsiderueshme, ende po kalkulojmë për shumën. Përtej bonuesit 1 mijë euro, që ju si në vijën e parë do t’i merrni deri në fund, do të jeni në një nivel në mesataren e lartë të rajonit. Këtë duam ta bëjmë fakt në fillim të vitit të ardhshëm. Me të filluar viti të gjithë ju të keni një rritje në pagë. Është një objektiv i detyruar. Ne kemi ndërmarrë masa të caktuara, që të mos i lëmë mjekët të largohen. E vërteta është se largimi ka rënë ndjeshëm. Mesa kemi kuptuar, mjekët qëndrojnë jo nga halli, por shohin si mundësi të arsyeshme ta fillojnë këtu karrierën”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb