Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se muajt e pranverës në vendin tonë pritet të nisë vaksinimi masiv kundër koronavirusit.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin për shëndetësinë, Rama akuzoi dhe opozitën, teksa tha se ata nuk mund të besohen pikërisht në këtë kohë të vështirë të përballjes me armikun e padukshëm.

“Në mars-prill-maj-qershor do të kemi vaksinim masiv, që do të këpusë si sëpatë zinxhirin e infektimeve dhe që do të mundësojë që të çlirohemi pjesërisht, por në mënyrë të konsiderueshme, nga barra e madhe e ankthit, pasigurisë, merakut për njerëzit tanë më të afër, më të dashur, për më të moshuarit, ata me sëmundje kronike. Ky është një udhëkryq.

A mundet në këtë udhëkryq t’i besohet fati i finales së kësaj lufte atyre që firmosën atë koalicionin tragji-komik, atyre që qysh nga dita e parë e luftës nuk u rreshtuan një herë bashkë me ne pranë jush, që zgjodhën të bëjnë aleatë me Covid-in, vetëm se virusi ishte armiku i deklaruar i kësaj qeverie. Atyre që nuk humbën asnjë ditë pa hedhur baltë, pa shpifur, akuzuar, nxitur panik, krijuar alarm, vetëm e vetëm për politikë. Mbi të gjitha, a mund t’iu besohet atyre, kur doktor Halim Kosova del e thotë publikisht se ku janë ata në raport me këtë luftë dhe se cilët janë ata që japin mend dhe bëjnë akuza në mes të kësaj lufte. Unë them jo, nuk mund t’ui besohet atyre vazhdimi i asnjërës prej punëve që kemi nisur.

Nuk mund t’iu besohet atyre fati i drejtësisë. Si mund t’iu besohet atyre fati i luftës në këtë përballje për shëndetin e të gjithë njerëzve tanë. Në këtë përballje me një armik që nuk zgjedh demokratë e socialistë, nuk sheh majtas e djathtas, nuk do t’ia dijë nga vjen, kush je, sa ke, por godet. Ashtu si ky armik i padukshëm nuk na nda, por na godet nga të katër anët, ashtu duhet të jemi dhe ne të bashkuar, duke lënë pas krahëve politikën e duke u përqendruar te lufta për shëndet”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb