TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një lajm të gëzuar për të gjithë banorët e kryeqytetit por jo vetëm. Ai shkruan në “Facebook” se duke nisur nga e shtuna Pallati i Brigadave do të jetë i hapur për ta.

“Prej kësaj të shtune, Parku Fantastik i Pallatit të Brigadave do të jetë i hapur për publikun çdo fundjavë?”, shkruan Rama.

Pallati i Brigadave

Pallati Presidencial, i njohur si Pallati i Brigadave, u projektua nga arkitektët italianë në fillim Gulio Berte dhe më pas u përfundua nga Gherardo Bosio në vitet 1939- 1941. Fillimisht ishte destinuar për familjen mbretërore (Mbreti Zog I) por ndërtimi i tij nuk arriti të përfundonte deri në vitin 1941. Ndërkaq Mbreti Zog ishte larguar nga Shqipëria që në vitin 1939 si pasojë e pushtimit italian të vendit.

Sipërfaqja shtrihet në shumë zona dhe përbëhet nga shatërvanë me zinxhirin e ujit, galeri skulpturash në disa parqe, disa radhë kopshtesh me pemë, lule dhe labirinte në formë spiraleje, kopshti i luleve, shtegu i pyllit, kopshti me pishinë si dhe pista e stërvitjes së kuajve.

Ky park është një galeri e vërtetë me skulptura mitologjike, i ndërtuar sipas modelit të Tempullit të Muzave, i kultit mitologjik të Apollonit, realizuar në vitet ’30 -’43. Rezidenca ka shërbyer si Pallat Mbretëror vetëm një herë, gjatë vizitës së Perandorit Viktor Emanueli në Shqipëri në maj të vitit 1941. Emrin “Pallati i Brigadave” e mori në vitin 1945 në nderim të brigadave partizane që e çliruan, emër i cili u përdor gjatë regjimit komunist.

Duke filluar nga viti 1992, pas rënies së komunizmit, emri zyrtar i këtij institucioni është “Pallati Presidencial”. Që nga viti 1945 ndërtesa shërben si Pallat Presidencial për pritje zyrtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb