Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, përmes një statusi në rrjete sociale, ka dënuar gjuhën, fyese dhe bullizuese sipas tij të kryeministrit Edi Rama.

Numri dy i LSI, më së shumti, është ndalur tek termi i “shkretë”, i përdorur nga kryeministri Rama, për ish-liderin e Partisë Republikane Sabri Godo.

Ndër të tjera, Luan Rama thotë se kryeministri po ndjek një model bazuar në atë të filozofisë së Gebëlsit, ministrit nazist të propagandës hitleriane, që në fokus ka goditjen përmes gjuhës së fyerjes, nënçmimit, përçmimit dhe talljes.

Postimi i plotë i Luan Ramës:

Përsiatje:

KAFSHËT E PUSHTETIT DHE PROPAGANDA E EDI RAMËS
Prej ditësh Edi Rama e ka përshkallëzuar intensitetin e propagandës së vet bazuar në modelet e filozofisë së Gebëlsit, ministrit nazist të propagandës hitleriane, proporcionalisht me bjerrjen e vet të gjithanshme, duke vënë në fokusin e goditjes përmes gjuhës së fyerjes, nënçmimit e përçmimit, talljes dhe bullizmit, përfaqësues të opozitës e jo vetëm, por të gjithë ata që nuk janë si ai e nuk mendojnë njësoj si ai.
Afrimi i ditës së gjykimit e kushtëzon esencialisht qasjen dhe sjelljen e atij që do të gjykohet, e referuar studimeve më autoritare të psikologëve të kësaj fushe, deformimet karakteriale janë përcaktuese në gjithë sjelljen e subjektit të gjykimit.
Gjuha e tyre dominohet prej lajthitjeve e na jep shenja alarmante të çoroditjes së mendimit dhe të dominimit nga paniku e frika, manifestuar të gjitha këto me levizje, gjeste e grimasa të pakontrolluara.
Duke e ditur se 25 prilli është dita e gjykimit për të, Edi Rama ka marrë ndërkaq arratinë e theqafjes, saqë mbërrin deri në kufijtë e marrëzisë kur paturpësisht e me një cinizëm të lig tallet edhe me një personalitet të shquar të kulturës tonë kombëtare dhe po aq, edhe të elitës politike shqiptare të postkomunizmit si zoti Sabri Godo.
Nuk e di se prej nga cila skutë e subkoshiencës së vet, teksa donte të qesëndiste e stigmantizonte kryetarin e partisë republikane Fatmir Mediu, Edi Rama nxorri nga goja togfjalëshin “I shkreti Sabri Godo”.
Jo prej injorancës gjuhësore, pasi nuk i përket asaj bashkësie, po prej ligësisë shpirtërore, i verbuar nga mëllefi deri në armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, pavarësisht se çfarë përfaqësojnë ata si qytetarë, si prindër e bashkëshortë, si njerëz të lirë e si shtetas të këtij vendi, Edi Rama po bën ndaj tyre atë që ca të tjerë e kanë bërë më parë ndaj tij, edhe pse është betuar e stërbetuar se ai nuk do të ishte kopje e tyre.
Mjerisht, ai nuk është më kopje, por është modeli më i shëmtuar i një personi – atavizëm i arketipit të politikanit të pavlerë.
Por le të analizojmë në planin etik, njerëzor dhe gjuhësor përdorimin e fjalës “i shkretë” për Sabri Godon, për të kuptuar se deri ku e çon verbëria dhe mungesa e skrupujve moralë një njeri, qoftë ky edhe kryeministër.
Fjala “shkret” kur përdoret për frymorët ka kuptimin njeri pa njeri, ndërsa trajta “i shkretë”, përdoret për të na dhënë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një njeri të vetëm, që nuk ka njeri të afërt; që nuk ka kush të kujdeset për të; i mjerë, fatkeq, i gjorë, që është për të të ardhur keq; i harruar, i lënë mënjanë, qyqar, ose edhe për rastet kur përdoret si mallkim; që u shkretoftë, që e marrtë mortja, qoftë i mallkuar etj.
Referuar këtij shpjegimi që gjithkush mund ta gjejë në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, lind pyetja se përse Edi Rama e përdori togfjalëshin “I shkreti Sabri Godo”?
I nderuari Sabri Godo nuk është i shkretë. Ai ka lënë pas një familje të respektuar me dy vajza zonja e me nipër e mbesa plot, të cilët e trashëgojnë me dinjitet dhe krenari emrin e tij. E me siguri, me të njejtin dinjitet dhe me të njejtën krenari do ta trashëgojnë emrin e Sabri Godos edhe breza të tjerë pasardhësish të familjes së tij, ashtu sikundër do ta respektojnë e kujtojnë përherë të gjithë ata shqiptarë që do të duan e nderojnë veprën e tij.
Por, Sabri Godo është edhe shkrimtar. E si i tillë, përveç familjes së vet njerëzore, ai na ka lënë trashëgim edhe një familje tjetër, familjen e veprës së një shkrimtari të shquar dhe dinjitoz në panteonin e kulturës kombëtare.
Gjithkush, pavarësisht formimit kulturor apo nivelit të shkollës që ka kryer, duhet ta dijë se shkrimtarët edhe pasi ndërrojnë jetë e ikin nga bota e të gjallëve, nuk janë kurrë të shkretë, sepse ata kanë lënë trashëgim veprën e tyre.
Ndërkaq, referimi tek emri i një personi që ka ndërruar jetë në retorikën banale politike të polemikave shterpë e përdorja e tij pa vend, është cënim i rëndë etik, është shenjë e një mungese të dhimbshme të ndjeshmërisë njerëzore dhe e mungesës së respektit si dëshmi qytetarie.
Por George Orëell na mëson se kafshët e pushtetit nuk e dinë se çfarë është ndjeshmëria njerëzore, ata nuk kanë lidhje me edukatën, me kulturë, me respektin dhe mirënjohjen.
Në “Fermën e kafshëve” të Orëellit, derrat udhëheqin një fushatë propagande shumë të fuqishme, në mënyrë që t’i bindnin të gjitha kafshët e tjera se ata duhet të jenë të pushtetshmit e pakontestueshëm brenda fermës.
Ndërsa në fermën e Edi Ramës, fushata e propagandës e ndërtuar mbi gjuhën e urrejtjes dhe të denigrimit, të fyerjes, përçmimit dhe poshtërimit, synon të ndezë mërinë e qytetarëve të një pjese kundër qytetarëve të pjesës tjetër, edhe pse kryederri nuk e ka emrin Snouboll apo Napolon.
Mirëpo ç’rëndësi ka emri në fund të fundit, a nuk është e vërtetë të gjithë derrat të njejtin turi kanë?…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb