Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur ditën e sotme nga Vora, në 32-vjetorin e themelimit të degës së PD në këtë qytet.

Berisha deklaroi para demokratëve se sot vendi po përballet me qeverinë të cilën e cilësoi si “një monizëm që nuk bazohet te doktrina Marksiste-Leniniste, por te krimi, vjedhja e droga”.

Kreu i PD vijoi duke e cilësuar kryeministrin Rama si “një siamez” ose “pasardhës besnik” i etërve të tij që intolerancën ndaj pluralizmit e ka kryekëput në vjedhjet e tmerrshme që ka bërë dhe drogën që drejton.

Sipas tij vendi nuk mund të ecë me një kryeministër që ka “60-fishuar importet me Kolumbinë”, që ka ndërtuar në mes të Evropës një shtet droge dhe që me firmën e tij ka firmosur grabitjen e portit të Durrësit duke iu referuar projektit për portin e jahteve.

Ai shtoi gjithashtu se Rama i ka lejuar vetes të korruptojë një ndër njerëzit më të rëndësishëm për sigurinë në SHBA dhe vendet aleate të saj duke folur për agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, i cili sipas tij është përdorur si “killer” për opozitën.

“Kur nisëm këtë rrugë para 32 viteve ishim në monizëm, por duhet ta dini se monizmi dhe zhvillimi janë absolutisht të papajtueshme. Ndaj dhe ne në ato vite me vendosmëri përmbysëm monizmin që bazohej në atë ideologji. Sot pas 32 vitesh është reale, e trishtë, e hidhur, ne në Shqipëri na është rikthyer monizmi, jo më në doktrinën Marksiste-Leniniste por i bazuar te krimi, vjedhja e droga. Diktatura më e urryer, që krijon pasigurinë më absolute, ne përsëri sot jemi në një mision. Ky mision do na çojë ne në përmbysjen e monizimit dhe fitoren e shkëlqyer të kandidatëve të opozitës në vend.

Si një siamez apo si një pasardhës besnik i etërve të tij, po me një dallim të madh. Nëse ata intolerancën ndaj pluralizmit e kishin ideologjike, ky e ka kryekëput në vjedhjet e tmerrshme që ka bërë, bazuar në drogën që drejton e ka kryekëput, e ka në lidhjet e krimit që mban. Në këtë kontekst misioni ynë është jetik për çdo demokrat. Në monizmin e parë u bënë përpjekjet të na mposhtin, por ne qëndruam duke pasur idealet tona. Sot përsëri bëhen përpjekje të jashtëzakonshme, kemi një armik përballë, vetëm përballje për të shporrur këtë kalbësirë nga skena politike shqiptare. Ne ecim të sigurtë drejt fitores që meritojmë. Shqiptarët nuk mund të qeverisen nga një kryeministër që ka 60-fishuar importet me Kolumbinë dhe ka ndërtuar në mes të Evropës shtetin e drogës. Me firmën që vendosi sot u grabit shqiptarëve pronën publike më të çmuar që kanë, portin e Durrësit. Nuk mund të pranojmë një kryeministër që me klanin e tij, Amant Josif e Olsi Rama vjedhin 2 miliardë euro nga qytetarët evropianë, nuk e pranojmë një kryeministër që ka një urrejtje të fshehur ndaj armiqve të pushtetit të etërve të tij. I lejon vetes të korruptojë, një ndër njerëzit më të rëndësishëm për sigurinë e aleatëve të SHBA-ve. Imagjinoni ta përdorë atë si “killer” për opozitën, nuk mundet ne ta pranojmë këtë situatë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: