TIRANË

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot në konferencë me gazetarët se Edi Rama ka bërë ligje për biznesmenë.

Sipas tij, janë 70-80 ligje në parlament. Duke vijuar akuzat për ndërtimet pa leje, Meta tha se Rama ka favorizuar klientelën e tij dhe se prej 6 vitesh ka nën kontroll sistemin e drejtësisë.

“Absolutisht i ka në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe ligjet i ka atje, dhe korrupsionin legjislativ. Ai jo vetëm që ka favorizuar klientelën e tij me tendera të turpshëm, qesharakë, pafund, me vlerë maksimale, me lista të caktuara nga vetë Edi Rama, por ai ka bërë ligje për biznesmenë.

Është ligji Fusha dhe 70-80 ligje në parlament që i ka bërë me porosi të veçantë, si rrobaqepës. Ata kanë shkruar sa duan të fitojnë dhe ai ua ka plotësuar atë dëshirë, dhe u ka thënë fitoni pak më shumë se s’ka problem se shqiptarët paguajnë.
Cila drejtësi? Rama ka 6 vjet që ka të gjithë kontrollin e sistemit të drejtësisë, prokurori, gjykata, gjithçka tjetër. Kush e beson në këtë vend që vettingun nuk e kontrollon Edi Rama? Kush e beson në këtë vend që ka drejtësi të pavarur? Mjafton të shikoni vendimin e fundit për çështjen e kopshtit të fëmijëve, lexoni qëndrimet e palëve, shikoni vendimin të kuptoni se nuk ka drejtësi. Me Edi Ramën nuk ka drejtësi, drejtësinë do ta vendosë populli i Shqipërisë”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: