TIRANË

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani thotë se kryeministri Edi Rama ka hyrë në fushatë elektorale për mandatin e tretë. Në një postim në “Facebook”, Manjani shkruan se KÇK dhe OFL janë gjetje politike për qëllime elektorale, duke e cilësuar si një film të stërparë.

Sipas tij, sot pjesa e kriminalizimit të pushtetit është njolla e zezë e dukshme e qeverisë. “Me KÇK e OFL synohet të pastrohet kjo njollë. Pra qeveria po përpiqet të thotë se të fortët që dolën nga burgjet dhe që bënë vota, nuk janë të saj. Kulmi!”, shkruan Manjani.

Ai thekson se ky kurth taktik dhe elektoral, meriton vëmendje dhe kundërpërgjigje elektorale nga opozita.

POSTIMI I MANJANIT

Përtej shakave që bëhen në rrjetet sociale, përtej arsyetimeve ligjore mbi pakushtetutshmërinë e vendimeve të qeverisë e të parlamentit, KÇK dhe OFL janë gjetje politike për qëllime elektorale.

Kam kohë që konstatoj dhe them se Edi Rama ka hyrë në fushatë elektorale për mandatin e tij të tretë. Duket si film i parë e stërparë. Veç se përshtaten gjetjet sipas kohës dhe rrethanave aktuale.

Sot pjesa e kriminalizimit të pushtetit është njolla e zezë e dukshme e qeverisë. Me KÇK e OFL synohet të pastrohet kjo njollë. Pra qeveria po përpiqet të thotë se të fortët që dolën nga burgjet dhe që bënë vota, nuk janë të saj. Kulmi!

Do e hajë dot njeri apo jo, mbetet për t’u parë. Por nëse fusha politike është pa kundërshtarë, qeveria nuk del pa gjë nga kjo përpjekje… ?

Nga ana tjetër, ligji i KÇK dhe OFL, për aq sa do zbatohet, sigurisht me selektim politik, do shërbejë për të amnistuar të fortët që dalin të pastër nga ky proces, ose që nuk u shkon letra…

Pra efekti është i dyfishtë. Pa dyshim, këtu s’kemi të bëjmë as me shtet, as me ligj, as me drejtësi e as me luftë kundër krimit. Është thjesht fushatë elektorale.

Në këtë fushatë elektorale nuk flitet për ekonominë, punësimin dhe emigracionin masiv. Përkundrazi, flitet për krimin tamam si kronikat rozë që fryhen për të shmangur vëmendjen publike nga dështimet e qeverisë.

Shumë komode për një qeveri që nuk jep llogari për punët që s’ka bërë, me thënë të drejtën!!! Kështu e shoh këtë sjellje haptazi jo Kushtetuese, por edhe politikisht të papërgjegjshme të qeverisë! Nuk e di si e sheh opozita zyrtare, por ky kurth taktik dhe elektoral, meriton vëmendje dhe kundërpërgjigje elektorale.

Manjani Fb
Manjani Fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb