GJERMANI

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga forumi Europapark në Mynih nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Teksa Shqipëria pret konferencën e parë ndërqeveritare që shënon dhe nisjen zyrtare të procesit, kryeministri ka nxitur liderët europianë të thonë po.

Rama tha se një shtëpi nuk mund të funksionojë nëse nipat e vegjël i vënë veto gjyshërve duke përdorur madje dhe metafora të tjera. Nga ana tjetër ai mohoi se ka një krim shqiptar, duke ua lënë refuzimin për negociatat çështjeve të Brendshme politike të Francës dhe Holandës.

“Nuk mund të imagjinoj një shtëpi që mund të funksionojë mirë nëse nipat e vegjël i vënë veto gjyshërve.
Pastaj krimi shqiptar… Dëgjoni kur bullgarët donin të hynin në BE, gazetat shkruanin se ata do përpiqeshin t’i vrisnin, ashtu dhe për Rumaninë. Çdo vend që i qaset derës së unionit duhet të përballet me gjëra të tilla. Krimi shqiptar, çfarë nënkupton kjo. Nuk ka një krim shqiptar për arsye shumë të thjeshta. Krimi i organizuar është ndërkombëtar. Nuk kemi parë ndonjë kriminel shqiptar të arrestuar në Shqipëri të lidhur me botën e jashtme që nuk kishte të paktën 4 kode numrash në telefon, Gjermani, Holandë, Britani.  Këta njerëz e kanë krijuar Bashkimin e tyre Europian. BE i krimit të organizuar është shumë më efikas. Nuk ka veto, nuk ka programe buxheti, nuk ka piketa për të arritur, nuk ka negociata. Kush vrapon më shpejt, arrin më shpejt dhe Gunther përmendi diçka që për mua është surreale. Si është e mundur që të dhënat për kriminalitetin nuk bashkëndahen.
Duke folur për krimin shqiptar, në Holandë shqiptarët tashmë janë bërë gjëja më e keqe që të shkon në mend, është e mirë për politikën por nuk është e vërtetë.
Gazeta thoshte shpërbëhet një tjetër bandë shqiptare, aty ishin vetëm dy shqiptarë 65-vjeçarë që ruanin magazinën e drogës.
Macron më ka përsëritur shpesh që nëse biem dakord për çeljen e negociatave me Shqipërinë kjo nuk do jetë e lehtë për shkak të Marinë le Pen. Problemi është se ata duhet të prisnin zgjedhjet. I thashë përse nuk e thoni, ‘djema ne ju duam, na pëlqeni por duhet të lyejmë shtëpinë njëherë’. Opinioni publik e dëgjon sikur ne po bëjmë gjënë e gabuar, jo se Macron do përballet me zgjedhjet.
Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të dashuruar me një dashuri të verbër për Evropën. Por si mund të martohemi kur Evropa nuk na flet. Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të saj por negociata është çka është reale për ne. T’i privosh vendet nga ky instrument është pa kuptim. Është momenti i duhur për t’ju thënë ejani të vizitoni Shqipërinë, është larg 1 orë e disa minuta. Është vend i bukur, për të huajt është vendi më i sigurt në Evropë”, deklaroi Rama.

Ai deklaroi se Shqipëria është një vend mjaft i mirë për kompanitë gjermane dhe se në Shqipëri jemi shumë të prirur të shohim sa më shumë njerëz që të vijnë. “Në turizëm kemi një rritje eksponenciale të interesit, natyrisht ky vit ishte ndryshe, por flas për vitin e kaluar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “edhe investuesit po bëhen gjithmonë e më të interesuar të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë për shkak të legjislacionit mjaft të favorshëm dhe për shkak të bukurisë së vendit”.

“Ne jemi mjaft të mirëpozicionuar sa u takon burimeve natyrore. Jemi i vetmi vend në rajon që furnizohet plotësisht me energji të pastër, duke qenë që energjia jonë bazohet tek burimet hidrike. Në të njëjtën kohë jemi pjesë e një hapësire ku kalojnë gazsjellësi Trans Adriatik nga Azerbajxhani në Itali”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend mjaft i mirë për të gjithë ata që duan të zhvillojnë prodhimin për shkak të kostos së punës, e cila është mjaft konkurruese”.

“Jemi të bindur se ne ofrojmë një mjedis të mirë për kompanitë që duan të jenë të pranishme me linjat e tyre të prodhimit për shkak të kostos së punës, për shkak të krahut të ri të punës, për shkak sepse njerëzit janë mjaft të aftë edhe me gjuhët e huaja. Është shumë interesante të shohësh kompanitë gjermane, nuk kemi shumë por kemi disa prej tyre. Sjellja e njerëzve është shumë e mirë dhe kompanitë gjermane janë shumë të kënaqura me këta njerëz dhe e ndiejnë sikur punojnë në Gjermani praktikisht, nën një drejtim që ka kulturën e punës e cila është mjaft e respektueshme dhe me standarde”, tha Rama.

Duke u ndalur te rajoni, Rama tha se “tashmë kemi këtë rezultat të parë mjaft të mirë të nismës së Kancelares në vitin 2014, kur ajo bëri bashkë në Berlin për herë të parë në historinë tonë, 6 qeveritë dhe udhëheqësit e rajonit të uleshin dhe të flisnit për të ardhmen”.

“Ishte hera e parë në histori. Ajo i dha fill procesit të Berlinit që synon të mbështesë rajonin për të ndërtuar ura bashkëpunimi për të zbatuar në rajon 4 liritë e Europës, për të punuar së bashku për një treg të përbashkët pa pa pritur derisa të bëhemi anëtare të BE-së. Po punojmë për të zbatuar hapësira më të mëdha se sa vendet tona, që të zbatojmë rregullat europiane”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ka një plan që u prezantua nga Komisioni javën e kaluar që është një fond prej 28 miliardësh për investim në energji, infrastrukturë dhe dixhitalizim.

“Është një mundësi e mirë sigurisht dhe është një shans i jashtëzakonshëm për t’u përfshirë kompanitë europiane apo gjermane si pjesë e planit për të ardhur në rajon për të ndërtuar autostrada, hekurudha dhe për të ndërtuar infrastrukturën energjetike, atë të gazsjellësit dhe sigurisht edhe infrastrukturën dixhitale”, tha Rama.

Kryeministri tha se shpreson fort se do të gjejmë mënyra me qeverinë gjermane dhe me kompanitë gjermane për të krijuar atë grupin e njerëzve të duhur, që do të na ndihmojnë t’i bëjmë gjithë gjërat bashkë e të zbatojmë këtë plan”.

“Nëse ky plan do të zbatohet rajoni do të jetë në një pozitë krejt të ndryshme dekadën e ardhshme”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb