TIRANË

Sekretari për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha akuzon kryeministrin Edi Rama se kërkon të legalizojë paratë e drogës dhe korrupsionit me amnistinë fiskale.

Teksa Rama deklaroi sot se amnistia fiskale do të bëhet me çdo kusht, pavarësisht qëndrimit kundër të ndërkombëtarëve, Hoxha shkruan se qëndrimi i Partisë Demokratike ka qenë dhe është shumë e qartë në krah të partnerëve tanë ndërkombëtarë kundër legalizimit të parave të drogës në Shqipëri!

Sipas tij, në Ditën kombëtare të Diasporës, Edi Rama nuk tha asnjë fjalë për votën e diasporës dhe nuk paraqiti asnjë plan për kthimin e bashkëatdhetarëve.

“Sot në ditën kombëtare të Diasporës, Edi Rama nuk tha asnjë fjalë për votën e diasporës ku sipas kërkesës në Gjykatë Kushtetuese të organizatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” gjykata Kushtetuese detyron kuvendin që të plotësojë kuadrin ligjor që diaspora të ketë të drejtën e saj legjitime të votojë. Sot në ditën kombëtare të diasporës Edi Rama nuk paraqiti asnjë plan apo politikë për rikthimin e bashkatdhetarëve tanë ku vetëm në 6 vitet e fundit janë larguar 744 mijë shqiptarë! Sot ai foli për amnistinë fiskale, ku nëpërmjet këtij ligji kërkon të legalizojë paratë e drogës dhe korrupsionit! Qëndrimi i Partisë Demokratike ka qenë dhe është shumë e qartë në krah të partnerëve tanë ndërkombëtarë kundër legalizimit të parave të drogës në Shqipëri!”, deklaron Hoxha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb