TIRANË

Kryeministri Edi Rama tha sot se koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët por korporata e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë krijuar pandëshkueshmërinë në sistem. Duke folur në konferencën e nivelit të lartë kundër korrupsionit, Rama tha se po të mos kishin qenë këta nuk do kishin qenë as korrupsioni spektakolar dhe nganjëherë dhe vrastar i politikanëve. Sipas tij, premisa për dënimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga SPAK është ajo që presin shqiptarët.

“Kjo është premise e cila SPAK-un do ta bëjë institucionin që të gjithë kemi shpresuar dhe mbi të gjitha shqiptarët kanë shpresuar. Përndryshe SPAK-u do të jetë zhgënjimi më i madh ndaj shqiptarëve tek reforma në drejtësi. Do të jetë goditja më e madhe morale që do i bëhet popullit shqiptar pas gjithë kësaj mbështetjeje që i dha reformës në drejtësi dhe zhgënjimi i madh i partnerëve të Shqipërisë. SPAK-u ka misionin të pastrojë deri në fund, ata që vetting i pastron thjesht dhe vetëm nga sistemi.
Tema këtu dhe beteja këtu është beteja për ta filluar tamam nga koka dhe koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët.

Nuk kanë qenë politikanët pavarësisht se kanë qenë pjesë. Koka kanë qenë korporata e këtyre gjykatësve dhe prokurorët që kanë krijuar pandëshkueshmërinë në sistem.
Po të mos kishin qenë këta nuk do kishin qenë as korrupsioni spektakolar dhe nganjëherë dhe vrastar i politikanëve dhe nëse nuk vendoset në themel të sistemit të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar që është fiks tek korporata që vetting po e shpërbën por nuk mjafton atëherë ngrehina nuk do qëndrojë dhe historia do përsëritet keq. Unë kam besim që nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe që do të ndodhë kështu por ajo që është e rëndësishme që kështu të ndodhë më herët se sa vonë. Shqiptarët janë investuar tek vetting me gjithë shpresat e tyre.

Sot kanë një zhgënjim sepse mendoj nuk e kanë kuptuar deri në fund që vetting pastron sistemin por nuk bën ndëshkimin e atyre që pastron. këtë duhet ta bëjë sistemi. për këtë është SPAK, BKH, institucionet e reja. Bashkëjetesa paqësore mes sistemit të ri dhe peshkaqenëve absurd që vazhdojnë të lundrojnë në formë avokatësh, konsulentësh, deputetësh, politikanësh do të ishte fundi i gjithë përpjekjes. Sloganet, parullat, rekomandimet me luftëra që gjithmonë e hedhin llafin tek politikanët duhet të mbarojnë. Asnjë shoqëri nuk përfiton nga diskriminimi në bllok i përfaqësuesve të vet. Duhet të ndahen gjërat nga drejtësia”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb