KUKËS

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç gjatë prezantimit të kandidatëve të PS në Kukës. Rama e cilësoi një ngërç të Serbisë dhe u shpreh i bindur se kjo dekadë do jetë e shqiptarëve. Ai foli për vaksinimin, duke u shprehur ambicien që  që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar nga barra e rëndë e pranisë së këtij armiku të padukshëm.

“E kemi nisur ditën shumë bukur edhe pse moti nuk është dhe aq i bukur. E kemi nisur me mikpritjen për motrat dhe vëllezërit nga Kosova, bluzat e bardha të Kosovës që kanë filluar të vaksinohen në Kukës. Më në fund arritëm ta realizojmë këtë qëllim pas një sërë zvarritjesh të natyrës burokratike nga ana tjetër, por pak rëndësi ka. Ajo që është e rëndësishme është që sot dhe mjekët dhe infermierët e Kosovës kanë filluar të vaksinohen dhe Shqipëria ka luajtur rolin e saj, ka bërë detyrën e saj në raport me anën tjetër të bjeshkëve kur i thonë, në kushtet kur siç e dimë të gjithë për fat të keq, Europa e ka lënë këtë lagje mu në zemër të vet jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave qysh në krye të herës. Ne ia kemi dalë të çajmë rrethimin sepse vërtetë rrethim pamundësie ishte duke nënshkruar drejtpërdrejt një kontratë me kompaninë Pfizer dhe njëkohësisht duke pasur tanimë në dispozicion dhe Astra Zeneca-n me të cilin kemi filluar vaksinimin intensiv dhe të mësuesve dhe pedagogëve. Deri dje kanë qenë afro 42 mijë të vaksinuar, do vazhdojmë dhe me më shumë intensitet. Kemi në proces tjetër marrëveshje për një sasi të konsiderueshme vaksinash që do të na japin mundësinë ta rrisim dhe më tutje ritmin, pasi nuk është ende i nevojshmi për të realizuar ambicien që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar nga barra e rëndë e pranisë së këtij armiku të padukshëm. Në këtë fazë finale të luftës kemi nisur ta zmbrapsim pak e nga pak. Drita në fund të tunelit të gjatë ku hymë së bashku me gjithë botën një vit më parë, ka filluar të duket. Jemi shumë të vendosur të dalim nga ky tunel një orë e më parë dhe do të dalim pa diskutim në të njëjtën kohë me shumë vende të BE edhe pse u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave qysh në krye të herës. Nga ana tjetër për hir të së vërtetës më vjen mirë që ky moment i fillimit të vaksinimit edhe për bluzat e bardha të Kosovës koinçidoi rastësisht, apo siç thotë Hegeli rastësia është shpata me të cilën domosdoshmëria çan rrugën me publikimin dje të një harte leshi, po e them shqip harte leshi nga Presidenti i Serbisë, i cili është edhe për të qarë dhe për të qeshur se si i rikthehet herë pas here provokimeve të kësaj natyre që në fakt tregojnë një ngërç të madh. Një ngërç që është ngërçi i Serbisë jo i yni. E ardhmja e shqiptarëve është në duart tona. Është në duart tona dhe unë kam shumë besim që përtej ngatërresave që bëjmë po me duart tona duke e penguar veten hera-herës kjo dekadë do të jetë dekada e shqiptarëve pa diskutim”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb