TIRANE-Një mbledhje me debate e kritika ka qene mbledhja e fundit e zhvilluar në këshillin e ministrave. Gazeta ‘Shekulli’ shkruan se kryeministri Edi Rama i është drejtuar me kritika të ashpra ministrit të Financave lidhur me performancën e dobët të dikasterit që ai drejton. sipas gazetës, një ndër çështjet qe ka qenë në vëmendje të kreut të ekzekutivit ishte mosshlyerja në kohë e pagave të buxhetorëve. “Përfiton nga fakti se ke ende mandat”, – mësohet t’i jetë drejtuar Rama kreut të Financave, ndërsa ka kritikuar menaxhimin e përgjithshëm i kabinetit ministror.

Ministri Shkëlqim Cani është i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar, i cili ka ende edhe mandatin e deputetit në një kohë që gjithë ministrat e tjerë e kanë dorëzuar atë duke ia lënë karrigen e deputetit, kandidatëve të radhës në listën zgjedhore të Partisë Socialiste. Po sipas Shekullit, kritika gjatë mbledhjes kane marrë edhe ministrat e Shëndetësise dhe Arsimit, të cilëve kryeministri iu ka kërkuar më shumë punë. Kjo situatë debatesh në qeveri pritet të sjellë ndryshime dhe në përbërje të kabinetit qeveritar, mundësi që konfirmohet nga burime brenda kabinetit. Kjo situatë debatesh në qeveri është paraprirë nga debatet e zhvilluara në mbledhjet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ku deputetët kanë kritikuar shpesh ministrat për mungesë komunikimi apo përgjegjshmërie.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: