PUKE- Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë ditën e sotme lejet e legalizimit për Pukën. Por kreu i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, ka zgjedhur që shpërndarja e tyre të fillojë nga Gjegjani. Sipas kryeministrit Rama, u zgjodh pikërisht Gjegjani në mënyrë që ai të shihte rrugën e dëmtuar në të cilën janë të detyruar të lëvizin çdo ditë drejt qytetit të Pukës, banorët e zonës.

“Unë e di pse më solli Gjoni këtu, se tapi kishte për të shpërndarë edhe në zona të tjera të Pukës. Pasi sot ka bërë gati rreth 700 tapi. Po më solli këtu që të provoj të gjitha vuajtjet e rrugës. Vetëm se Gjonit nuk ia thashë rrugës, po ia them tani. Nuk është se unë nuk e dija si ishte rruga. Por e vlerësoj për këtë udhëtim turistik që më bëri duke ardhur deri këtu. Shaka bëj, por është edhe gjysma e së vërtetës. Situata do ndryshojë. Mos mendoni se rruga për të ardhur deri këtu do të vijojë të jetë kështu siç ka qenë edhe për shumë kohë. Do të bëhet edhe kjo. Pasi është një rrugë që lidh qendrën e bashkisë me një komunitet shumë të madh këtu në Gjegjan. Të gjitha duhen, por çdo gjë në radhën e vet”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se së shpejti do të nisë transformimi i Pukës, duke theksuar se projekti i Rilindjes Urbane do ta kthejë këtë zonë në një pikë të rëndësishme turistike në veriun e vendit.

“Në rajonin e Pukës është një kryetar Bashkie që nuk di vetëm të ankohet dhe të kërkojë, por di që ankesat dhe kërkesat t’i shoqërojë me projekte. Bashkia e Pukës renditet ndër më cilësoret sot nga pikëpamja e administrimit të vetvetes, sepse është një nga bashkitë që ka përgatitur në një kohë shumë të shkurtër shumë projekte, të cilat me shumë bindje do t’i vijnë në ndihmë të madhe këtij komuniteti. Ndaj kemi financuar disa prej tyre dhe do vazhdojmë të financojmë disa të tjera. Shumë shpejt do të fillojë puna në terren me një projekt të madh, për transformimin e qendrës së Pukës, e cila është tërësisht e lënë në harresë qysh prej kohës së mëparshme, kam parasysh para fillimit të demokracisë. Dhe ka një avantazh shumë të madh për shkak të liqenit. Ndaj projekti do të jetë pak i pazakonshëm, pasi do të jetë e dyta bashki e re që qendrën e vet do ta ketë të lidhur me liqenin, siç po ndodh edhe me bashkinë e Belshit. Është fat për qytetin që të ketë në mes të tij një pasuri aq të madhe sa është një liqen. Ne do ta kthejmë atë në një fuqi ekonomike, pasi do të bëhet motor i shndërrimit të Pukës nga një zonë e varfër e pa mundësi zhvillimi në këto kushte, në një zonë turistike në veri të vendit.
Pas shumë vitesh besoj se jeni lodhur duke dëgjuar nga ata që vijnë nga Tirana, duke thënë “Puka turistike”, por Pukën e bëri zoti. Ndërsa ata për vite të tëra kanë bërë që vetëm turistike të mos ishte kjo zonë”, tha kryeministri Rama.

Kreu i Qeverisë u ndal edhe tek financimet për bujqësinë, duke u shprehur se janë fermerët ata të cilët duhet të kërkojnë sa më shumë mbështetje, për të mundësuar rritjen e prodhimeve të tyre.

“Buxheti i shtetit edhe sikur 50 vjet t’i mbledhim së bashku, e ka të pamundur të mbulojë nevojat e të gjitha familjeve në fshat. Edhe vendet e mëdha superfuqi ekonomike, kur vjen puna tek mbështetja ndaj fermerëve nuk mbështeten thjesht tek mundësitë e shtetit, por edhe tek format alternative të financimit. Ne kemi parashikuar një fond për të mbështetur familjet fermere. Janë 300 mln euro të mundshme për t’u marrë. Por ato mund të rrinë aty edhe për vite të tëra nëse nuk jemi ne nxitësit që familjet fermerë të lëvizin në këtë drejtim. Janë financime shumë të buta dhe shumë të sigurta, por kërkohet më shumë vëmendje dhe financim brenda për brenda fermës”, u shpreh kryeministri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb