FIER- Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Cakran të Fierit për shpërndarjen e lejeve të legalizimit. Ai tha se sot shpërndahen 1001 leje legalizimi ndërkohë që në 8 vjet të qeverisjes së kaluar u dhanë vetëm 3.

Rama hodhi akuza mbi qeverinë e kaluar që sipas tij legalizoi mbi vende ku nuk duhet të legalizohej kurrë, duke sjellë shembullin e ndërtimeve mbi Gjanicë. Por ndërkohë që përmendi ish-kryeministrin Sali Berisha, dikush nga banorët e ndërpreu duke i kërkuar të mos e përmendë.
Kaq është dashur që Rama të thotë se ‘të përmendësh Saliun është si të përmendësh Qoftëlargun”.

FJALA E RAMËS
Janë punë reale, serioze që kërkojnë kohën e tyre. Nuk bëhen sa hap e mbyll sytë. Mjafton fakti që këtu në Cakran në 8 vjet u bënë 3 legalizime, ndërkohë që ne sot në një ditë bëjmë 1001 e legalizime. Mjafton fakti që në Fier janë bërë në 8 vjet të pushtetit të atyre që janë ngujuar në çadër 1274 legalizime, ndërkohë që deri sot në më pak se 3 vjet që kur ka filluar punën institucioni i ALUIZNI-t janë bërë 10200, 10-fishi.

Ajo që është edhe më e rëndësishme është që edhe ato legalizime që janë bërë janë bërë në kurriz të njerëzve, të komuniteteve. Janë legalizuar godinat mbi Gjanicë. Shumica e legalizimeve që bëri pushteti i çadrës kanë qenë legalizime për lokale, motele, hotele, magazina, pishina, trampolina pra për biznes dhe shumica kanë qenë për legalizime aty ku kurrë nuk duhet të legalizoheshin, duke rritur kostot për të rindërtuar të gjithë këto zona të pushtuara dhe të legalizuara.

Kanë bërë pronarë në zona ku ne nuk mund të pranojmë që të mbeten të përjetshme. Si mund të pranojmë që Gjanica në mes të Fierit të mbetej si Lana nga ku Saliu fillo i Shqipërinë si Zvicra. Ne jemi zotuar… (e ndërpret një banor)…na shau Saliu tani, ose është kundërta është si puna e asaj mos e përmend këtu se fillon shiu, se këtu të përmendësh Saliun është si të përmendësh qoftëlargun.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb