TIRANE– Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se kuksianët do të kenë edhe rrugën edhe aeroportin brenda këtij viti.

Në fjalën e tij në Kuvend , kryeministri Rama theksoi se “vajta në Vlorë fola para se të ndodhte ajo që ndodhi e thashë se do të hapim aeroportin e Kukësit, kazani menjëherë e pasqyroi; Edi Rama i merr kuksianët me të mirë i mbyll rrugën i hap aeroportin. Kuksianët do të kenë edhe rrugën edhe aeroportin dhe të dyja këto do të zgjidhen, rruga e para dhe aeroporti i dyti, brenda këtij viti”.

“Dua t’i them një gjë kuksianëve, tropojanëve, hasianëve dhe gjithë shqiptarëve se kemi një kulturë politike të mishëruar tek opozita e sotme që synon ti prekë njerëzit në forma nga më të përçudnuara dhe shpesh herë Saliu i pari, por edhe të tjerë i fryjnë këtyre ndasive, jo tha ai kështu, jo tha ai ashtu, njësoj si sherret e gangove që fusin në sherr gjithë lagjen”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “unë nuk jam i pagabueshëm dhe me thënë të drejtë e kam të vështirë të hesht e të mos reagoj përpara budallallëkut dhe injorancës dhe kur budallallëku me injorancën bashkohen bashkë është kulmi”.

“Mbase ndonjëherë mund të them diçka më shumë seç duhet, por kurrë asnjëherë nuk kam parasysh asnjë njeri të zakonshëm që nga Tropoja deri në Konispol kurrë, kurrë . Faji im, po, që kur thashë atëherë alpinët nuk thashë Saliu, djali, vajza , rrahmani, që u shfaqën si trashëgimtarë pronash afër detit, por faji im se thashë alpin në mënyrë sipas meje ironike për ti rënë derës që do të dëgjojë, por ajo derë nuk do të dëgjojë, ajo derë ka vetëm një trokitje që i bën derman, drejtësinë”, tha Rama.

Por, vijoi ai, nuk dua të flas për ta sot se nuk janë këtu, por të jeni të bindur ju dhe të gjithë se shumë shpejt do të shikoni në dritën e diellit se çfarë i shtyn ata të nxisin zjarr, rrëmujë dhe kaos.

“Ta harrojnë atë që thanë se ne do të presim sa të dalë raporti, sa të hapen negociatat se për ne Shqipëria është më rëndësishme se qeveria, çfarë i shtyn? I shtyn diçka që ata e dinë shumë mirë dhe shumë shpejt do ta shikojnë të gjithë shqiptarët”, përfundoi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb