TIRANË

Kryeministri Edi Rama tha sot se kush voton opozitën investon direkt kundër reformës në drejtësi.

Në prezantimin e programit “Drejtësia që duam”, Rama sulmoi presidentin Meta dhe liderët e opozitës. Ai tha se “falë shkallimit të Ilir Metës 25 prilli është bërë 1 rrugë e 4 punë, e ça punësh. Do votohet për t’i hapur më tej rrugë drejtësisë në këtë vend, për të larguar nga kreu i vendit Ilir Metën, dënuar përfundimisht në ekzilin e tij dixhital Sali Berishën dhe dërguar Kryemadhin aty ku e ka vendin, tek pakica e pakicës”. Sa i përket kreut të PD, Rama tha se nuk është një rrezik në vetvete as për demokracinë, as për drejtësinë.

“Ne na duhet një drejtësi e drejtë, e pavarur, e ndershme. Duhet shumë mundim, përkushtim dhe patjetër kohë. Kohën duhet të ma jepni ju. Ilir Meta e ka thënë hapur, 25 prilli do të jetë një referendum që do të përmbysë reformën në drejtësi. Ndërkohë që u përbetua se do të japë dorëheqjen si president dhe do të marrë udhëheqjen e opozitës nëse ne fitojmë zgjedhjet. Sepse Ilir Meta nuk ka respekt për detyrën më të lartë të shtetit, për nderin më të madh që një popull, një vend, një shtet mund t’i bëjë një individi të vetëm, nuk ka respekt as për Kushtetutën dhe për krejt njerëzit e këtij vendi, por ka vetëm hallin që tanimë e kanë marrë vesh dhe gurët e drurit e këtij vendi. Të shohim çfarë do zgjedhin shqiptarët në referendumin e tij të 25 prillit, drejtësinë apo Ilir Metën.
E doni më troç se kaq dhe më të dukshëm se kaq para syve tuaj, armikun e betuar të gjithë kësaj ëndrre dhe kësaj pune të madhe ku bashkë me ne të gjithë, shqiptarët që e duan aq fortë reformimin e drejtësisë janë angazhuar aq fortë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë SHBA-BE. E pra kush voton ata përballë nesh investon direkt kundër reformës në drejtësi. Kush nuk del fare në votim ua lë në dorë të tjerëve zgjedhjen e vetë për drejtësinë. Sot po luftohet në radhë të parë për të garantuar të ardhmen e drejtësisë.
Falë shkallimit të Ilir Metës 25 prilli është bërë 1 rrugë e 4 punë, e ça punësh. Do votohet për t’i hapur më tej rrugë drejtësisë në këtë vend, për të larguar nga kreu i vendit Ilir Metën, dënuar përfundimisht në ekzilin e tij dixhital Sali Berishën dhe dërguar Kryemadhin aty ku e ka vendin, tek pakica e pakicës.
Është dhe Lulzim Basha. Lulzim Basha nuk është një rrezik në vetvete as për demokracinë, as për drejtësinë. Fatkeqësisht duke qenë një politikan i dobët, pa karakterin e një lideri ai është një kukull në duart e tre xhagajdurëve të tjerë të cilin mund ta mbyllin Lulin në shtëpi për 30 sekonda. Keni para koalicion qesharak se sa një koalicion paszgjedhor, i nënshkruar para zgjedhjeve, mes dy partive që në zgjedhje hyjnë veç e veç. Është një koalicion tragjikomik”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb