TIRANË – “Z.Kryeministër, i dashur Isë!” Me këto fjalë nis përshëndetja dhe urimi që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar sot me anë të një letre, kreut të sapozgjedhur të Qeverisë së Kosovës, homologut të tij, Isa Mustafa.

Duke shprehur konsideratat e tij, Rama shkruan se “marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen” e njëherësh, i ofron Mustafës, dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit. Rama e garanton Isa Mustafën “se për autoritetet kosovare, dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur.”

Ja letra e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

“Zoti Kryeministër,

I dashur Isë,

Emërimi në funksionin e lartë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është pa dyshim një moment me rëndësi për Ju dhe mbarë vendin. Është kënaqësi e veçantë t’Ju përcjell, me këtë rast, urimet më të mira për sukses në detyrën e lartë që Ju është mirëbesuar.

Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen. Këto marrëdhënie unike në llojin dhe historinë e tyre, rajoni dhe zhvillimi i tij i qëndrueshëm i kërkon sa më solide, frytdhënëse dhe paqeformuese. Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten një binom pionier për perspektivat më shpresëdhënëse në Ballkan dhe shembull i gjallë i një integrimi të dëshiruar dhe të merituar në Bashkimin Europian.

Cilado qofshin vështirësitë që do të mund të shfaqen, kam bindje të fortë se në bashkëpunim me Qeverinë e re të koalicionit, të drejtuar prej Jush, realizimi i prioriteteve të axhendës së përbashkët do të përshpejtohet. Në këtë process historic, ne jemi të inkurajuar e të mbështetur fuqishëm edhe nga platforma e Samitit të Berlinit.

Ju e dini se për autoritetet kosovare, dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë do të ishte mëse e mirëpritur.

Me konsideratën më të veçantë,
Sinqerisht
Edi Rama

Sh.T.Z.Isa Mustafa
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Prishtinë

Isa mustafa

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb