TIRANË

Fëmijët e Dëshmorit të Atdheut, Major Klodian Tanushi dhe Dr. Leonard Kamberi kanë marrë statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”.

Kryeministri Rama bashkë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë pritur në ambientet e kryeministrisë, fëmijët dhe familjarët e majorit dhe doktorit që humbën jetën në krye të detyrës.

“Janë katër fëmijë të cilët ne sot i akordojmë këtë status. Ia akordojmë tre fëmijëve të Majorit, të dëshmorit të atdheut, Klodian Tanushi dhe mjekut obstetër-gjinekolog të Spitalit Rajonal të Vlorës, doktorit të ndjerë, heroit tonë që humbi jetën nga covid19, Dr. Leonard Kamberi”, tha Manastirliu.

Kryeministri Rama u shpreh: “E kemi krijuar mundësinë që t’i japim mbështetje të plotë fëmijëve deri në 150% të pagës së prindit, deri kur të dalin në jetë. Natyrisht asgjë nuk e kthen prindin, por në të gjitha rastet, këta janë fëmijë të Republikës sepse baballarët e tyre ishin shërbëtorë të denjë të Republikës dhe heronj të Republikës”.

Tre fëmijët e Major Klodian Tanushit, Komandant i Kontigjentit Shqiptar në Letoni, i rënë në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në bazën Adazi në Letoni, janë të moshave 4, 13, 17 vjeç. Statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” e ka marrë dhe vajza 1 vjeçare e dr. Leonard Kamberi mjekut Obstetër-Gjinekolog të Spitalit Rajonal të Vlorës, që humbi jetën në shërbim të qytetarëve, si pasojë e Covid-19.

0c7132e4 7fde 4890 9642 59a5d6a70b6a
0c7132e4 7fde 4890 9642 59a5d6a70b6a

Paketa e mbështetjes për fëmijët në përkujdesje të Republikës parashikon:
– 100 për qind të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën, ka një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 70 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë të mitur;
– 50 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë ;
– 40 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë;
– 30 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
“Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas. Po kështu përfitojnë bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe janë të përjashtuar nga tarifa vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë. Gëzojnë të drejtën e orientimit profesional falas dhe mbështetje për punësim në administratën publike ose biznesin privat. Deri tani 15 fëmijë e kanë përfituar Statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”. Komisioni Qendror i ngritur për vlerësimin e dosjeve të profesionistëve të rënë në krye të detyrës, do të mblidhet çdo herë që ka kërkesa për marrjen e këtij statusi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb