Pasditja e sotme pritet të jetë e ngjeshur për socialistët, të cilët do të mblidhen për të zyrtarizuar emrin e Presidentit të ri, që do të votohet në seancën e nesërme plenare të orës 18:00.

Në një lidhje nga selia rozë, gazetari Ergys Gjençaj tha për “BalkanWeb” se kryeministri Edi Rama pritet të mbërrijë në Rinas brenda pak minutash, rreth orës 14:00, ku do të kthehet nga SHBA dhe do t’i drejtohet menjëherë selisë së PS.

Siç mëson gazetari Gjençaj, Rama do të shkojë direkt në selinë rozë, ku do të mbledhë socialistët për të zhvilluar mbledhjen e Kryesisë, e cila nis në orën 17:00, dhe ku do të zbulohet zyrtarisht emri i PS për President.

Pak kohë më parë, Rama ka thënë se PS nuk do të prezantojë asnjë socialistë, por do të fokusohet te personalitete, që do ta meritojnë mbështetjen e PS në Kuvend.

Në seancën e nesërme, Presidenti zgjidhet me minimumin e votave, që mazhoranca socialiste i gëzon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb