Kryeministri Edi Rama foli në Kuvend për zhvillimet e fundit politike lidhur me Reformën Zgjedhore, duke thënë se nuk është dakord me marrëveshjen e 5 qershorit mes palëve, por ishte i detyruar të bënte lëshime për opozitën jashtëparlamentare.

Kreu i qeverisë theksoi se është fyese që punonjësit e administratës publike, si mësues, etj, të konsiderohen si hajdutë votash dhe të përjashtohen nga procesi. Mes të tjerash, kryeministri tha se në këto 30 vite PD ka marrë vendime, që kanë lënduar interesin kombëtar, ndërsa PS nuk e ka një faj të tillë.

Pjesë nga fjala e Ramës në Kuvend:
Ne jemi shumicë solide dhe nuk kemi asnjë problem, as me sistemin, as me koalicionet, as me dreqin e shejtanin, fare, se ne jemi shumicë në popull, e cila nuk merret në tavolinë, me ligje e kode, por merret me votë. Sot unë jam me mendje i bindur se do ta votoni të gjithë, edhe Myslimi, 5 qershorin, jo sepse mua më pëlqen, nuk më pëlqen, përkundrazi unë kam një problem të madh me 5 qershorin, mosdepolitizimin e administratës zgjedhore. Është fyese për Shqipërinë, për dhjetëra mijëra njerëz që janë në punë, mësues, e të gjitha vendet e tjera të punës, që konsiderohen hajdutë votash, dhe ndërkohë administrimi politik të konsiderohet si garanci për integritetin e procesit zgjedhor, kjo është fyese.

Por, ky është lëshimi i madh i pamerituar për Bashën dhe lidershipin e opozitës jashtëparlamentare, por i merituar për votuesit e tyre, për zgjedhësit e tyre, për demokratët që s’duan të shohin me sy mua dhe PS. E kuptoj Murrizin kur thotë që kjo është skandal. Është skandal, që në 2020 Shqipëria mos t’ua japë mundësinë mësuesve dhe atyre që punojnë në shtet, me idenë se mund të vjedhin. Nuk njoh unë asnjë budalla në këtë vend, që të shkojë në burg, të humbasë vendin e punës për votat.

Ideja e një administrate zgjedhore me persona që nuk janë as në punë, as në parti, është një absurd. E para duhen mijëra njerëz, e dyta çfarë detyrimi ligjor do të kishte një avokat, veteriner, infermier që punon në privat, etj, nëse do t’i thuhej do të shkosh të numërosh votat e Myslim Murrizit, dhe çfarë pasoje do të kishte nëse do të thoshte se nuk dua të shkoj. Asnjë pasojë, pasi nuk e detyron dot. Ndërsa ai që është në administratë, është i detyruar të shkojë. Por shkurt jemi këtu ku jemi, e kemi bërë këtë lëshim dhe nuk dua të humbas kohë duke shpjeguar ato që Lulzim Basha i tregon sipas aritmetikës së tij se 7 herë 7 bëjnë 42. Për fat të keq, PD mund t’i gjejmë momente që ka lënduar interesin kombëtar, në këto 30 vite, ndërsa PS-në mund ta vësh në diskutim për shumë gjëra, mund ta kryqëzosh për momente të caktuara, kur nuk ka qenë në lartësinë e duhur sidomos kur ka qeverisur, por nuk mund t’i thuash dot me faj, sepse ka marrë një vendim, që ka lënduar interesin kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb