Gjatë një takimi me mësues dhe nxënës të shkollës “Leonik Tomeo” në Durrës, kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje gjithë të rinjve të tregojnë kujdes, pasi edhe ata janë të rrezikuar nga koronavirusi.

Kryeministri Rama tha se janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e mësimit në shkolla, por sipas tij, mësuesit dhe nxënësit duhet të zbatojnë rregullat.

Mes të tjerash, kreu i qeverisë deklaroi se nëse drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe nxënësit do të jenë në lartësinë e duhur me zbatimin e masave, gjasat që të goditemi më shumë nga virusi do të jenë zero.

“Duhet t’ia dalim edhe në aspektin e mbrojtjes sa më efikase të shëndetit të gjithsecilit. Është e vërtetë që moshat e reja, fëmijët e vegjël, janë më pak të rrezikuar nga ky virus, por është absolutisht e pavërtetë dhe këtë duhet ta fiksoni mirë në kokë që jeni plotësisht të mbrojtur. Pra, larg qoftë, rastet kur virusi ka goditur rëndë, madje ka marrë edhe jetë në këto mosha, nuk mungojnë. E gjitha varet nga disiplina, autodisiplina, për të respektuar rregullat e thjeshta. Aspekti tjetër është që fëmijët dhe mosha juaj janë transmetues të virusit. Kjo është një sfidë e përbashkët, ku secili ka rolin e vet dhe ku mjafton njëri të gabojë për të marrë në qafë të tjerët. Janë marrë të gjitha masat për mësimin në klasa, por e gjitha varet nga faktori njerëzor.

Ky është një stres për ju, por edhe për mësuesit. Por, besoj se nëse drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe nxënësit do të jenë në lartësinë e duhur, gjasat që të goditemi do të jenë zero, në të kundërt numrat do të rriten. Sido që të jetë, do të kemi rritje të numrave, por ajo që na duhet është t’i mbajmë numrat brenda parashikimeve. Kjo është një luftë që vazhdon, ka fazat e veta, virusi nuk ikën, do kërkojë kohë derisa të dobësohet dhe popullata të imunizohet. Do kërkojë kohën e vet edhe vaksina. Kështu që sipas të gjitha gjasave ky vit shkollor do të jetë shumë i vështirë. Kjo është një sfidë dhe duhet përballuar. Alternativa tjetër është ta humbasësh sfidën dhe pasojat janë të pallogaritshme”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb